Për të nderuar policët e rënë në detyrë, grupi i kërcimtarëve të notit nga Gjakova erdhën në Veri të Kosovës.
Nga ura mbi Ujman ata kërcyen për herë të parë në ujin e këtij liqeni.
“Ftesën na e ka bë ministri Sveçla, për përvjetorin e Enver Zymerit dhe është hera e parë që po vi këtu, nuk kam qenë asnjëherë më parë. është shumë bukur këtu, vendi është i mirë”, tha kërcimtari, Florind Gashi.
Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, solli në Zubin Potok edhe krerë tjerë institucionesh, çka sipas ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës e arsyetonte nevojë e një numri të madh forcash policore.
“Këto kërcime sportive, konsideroj se janë bërë për herë të parë, për këtë arsye edhe masat merren që të kalohet gjithçka mirë, edhe është gjithçka mirë, pra janë të domosdoshme”, u shpreh Voton Elshani nga Drejtoria e Policisë.
Në po të njëjtin vend ku u mbajt aktiviteti për nderimin e zyrtarëve policor, rreth një javë më parë ndodhi edhe një shpërthim, duke e bërë të nevojshëm akoma më shumë sigurimin shëndetësor për policët, për çka ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se nuk është dita të flitet.
“Sot është dita e krenarisë, dita e lavdisë dhe do të mbetemi aty”, tha ai.
Policët e rënë në shërbim u nderuan gjatë ditës në Prishtinë, ndërkohë homazhe u bënë edhe pranë pllakës përkujtimore të policit të vrarë në veri, Enver Zymerit, ku u nderua edhe Arfim Bunjaku i vrarë në sulmin terrorist të Banjskës.
Sot jemi më 26 korrik për të nderuar policët e rënë në detyrë. Njëkohësisht vizituam familjet e Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit, heronjve tanë.
Në po të njëjtën ditë kur u mbajt një prej aktiviteteve më të mëdha në veri të vendit, pranë komunës së Zveçanit u dogjën dy vetura komunale. Policia e Kosovës po kërkon të dyshuarit që mendohet se janë të mitur.
Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 23 policë kanë rënë gjatë shërbimit të tyre.
Top Channel