Nga Agron Gjekmarkaj
Si dy “panepirotë të ndezur”, unë lezhjan me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe Flamur Noka nga Novosela e Kukesit ja behëm në Himarë! Medemek ne qenkemi gushëbardhë e jo gushëkuq?!
Rrugës m’u kujtua shakaja e Hilë Mosit kur te sekretari i tij Jorgo në Ministrinë e Arsimit paraqitej herë njëri, herë tjetri si patriot i ndezur, i flaktë, i zjarrtë dhe ai nga frika mos i merrte flakë binaja e Ministrisë i thotë Jorgos aman bëji shurrën ministrisë se do na digjet e mbesim batall.
Një i tillë adet duhet dhe për ata që na bënë ne “panepiriotë të ndezur” megjithëse shkuam për të mbështetur shqiptarin nga Dhërmiu, Petro Gjikuria , ish i persekutuar politik qysh më 1945 edhe nënshtetas amerikan si kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës.
Nëse do ishte grek, prapë njësoj mjafton të jetë i pa vese dhe i ndershëm.
Se ne nuk jemi naziste që i ndajmë grekët si dikur hebrenjtë me yllin e verdhë të Davidit në krah, por shqiptarë që mburremi me të drejtë për vlerat e bashkëjetesës e harmonisë për besë e bujari!
Nashi edhe për standarde demokratike e të drejta robit!
Në parim birinxhi po yçklat nuk kanë të sosur!
Aferim do thotë ndonjë deri këtu!
Petet e lakrorit hapen më vonë.
Pas reagimeve fillova të ndihem në ankth ! Mos jemi gjë në luftë me Greqinë dhe po ndihmojmë ushtritë pushtuese ?
Kufijtë na i rrezikon gjë? Në NATO, a jemi bashkë? Qiejt tanë a i mbrojnë avionët grekë? A i kemi andej 700-800 mijë shqipo që të marrin gjak në vetull me një e dy pasaporta? Mos po na marrin Himarën me buldozer dhe e çojnë në Kretë? Ndoca heronj të revolucionit a qenë arvanitas?
Zoti nuk më la me kaq !
Me Flamur Nokën shkuam në Borsh për të takuar një tahmaqar të punëve të kombit!
Evlati kishte qenë patriot i madh. Na dha një leksion të mirë atdhedashurie sa m’u duk vetja tradhtar në shërbim të Greqisë! Gjynah që nuk na rrahu paq, ku na dhëmb e ku na djeg! Një dajak do na bëhej mësim. Nga biseda me të mësova sa shumë e urreja Shqipërinë dhe sa e doja Greqinë. Unë kam mbështetur Fredi Belerin tha që është shqiptar se Beleri emer grek s’ka, por hiqet si grek ! E kapa shpejt, u distancova, sapo pas fitores kënduan këngën e Spiro Milos. Aty ishte derdhur shishja , s’kishte mbajtur më.
Po e shihja me admirim teksa mendoja nuk shprishet jo gjaku i Arbërit. Ky më dukej si pasardhës i luftëtarëve legjendarë të Sopotit që as shitej as blihej po fli ama bëhej për dhe të vet!
Petro Gjikurinë tha nuk e mbështes se është pjesë e lobeve greke kundër Shqipërisë dhe Himarës bën pjesë te një shoqatë. Nuk ia prisha qejfin t’i tregoja që edhe prifti Karavella që doli në resme, Kryeministri ynë, kur kërkonte vaksinat Pfizer bën pjesë në të njëjtën, madje Petrua me dorë te tij u kishte bërë resmen! Madje edhe Karluço këshilltar i Trampit po aty. More i uruar i thamë është shqiptar por edhe sikur të ishte grek se fjala grek nuk është fjalë e pistë, na ke dëgjuar tek themi jemi vëllezër, jemi gjitonë! Ai nëse është “grek” nga Himara, vendali jo nuk e mbështes, po i eksportuar nga grekët e Dropullit po! Himara ka luftuar kundër Osmanëve, ka nxjerrë kanun e kapedanë e meriton një bir të vetin.
Unë jam nacionalist, tha, e dua vatanin do votoj Vangjel Tavon. U habitëm vallahi. Po ay është greku i vërtetë, i thamë, se ka mohuar kurrë edhe pse zëvendësi i Goros në krah të tij në fshatrat e Lumit të Vlorës ka thënë të votojmë Tavon që të mos flitet me greqisht në Himarë.
Medet, po si ta privojmë Tavon nga gjuhe e nënës?
S’ka gjë gugati ai e ka tradhetuar Greqinë ndaj e dua, Petro shqiptari që bën lojën e grekut haram i qoftë , Vangjo greku që bën lojën e Shqiperisë hallall i qoftë.
Aty me linden ndoca pikëpyetje! Po si po qysh do renegatet, atdhemohuesit megjithëse se di në Tavo është i tillë?! Shumë shumë ka mohuar Ilir Meten e LSI dhe ka harruar akuzat ndaj Ramës kur ishte kandidat për deputet se nuk lejonte emigrantet të kalonin kufirin per ta votuar po kaq! Kjo është pakogjë!
Kur pa mbaruar llafin aty ja behu vetë Vangjua me një sejmen nga pas erdhi e ngjatetoi posaçe patriotin e ngapak dhe ne të tjerëve!
Qerratai! Dola prej aty i bërlykur. Desh ja dhashë vajit. Flamuri me tha mbahu, je axhami ne pune patriotizmi duhet të nxesh! Sevdaja per Atdhe mësohet ku nuk ta pret mendje! Si ka thëne Lame Kodra “e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë”! Ja ky është bari i interesave kombëtare dhe i këtij stani me bulmet.
U ndjeva i pagdhendur. Tjetri pa asnjë interes per idealizem të paster , pa asnjë ofertë, me zë të qëruar në emër të nacionalizmit, i bërë tel i skuqur nga inati per kënget kushtuar Spiro Milos të1914 e kishte bërë hasha shqiptarin Petro në emer të patriotit Shqiptar minoritarit grek Vangjel!
Mejtova ta shkruaj këtë rrëfenjë se më la pa mend e gojë e nuk po ja gjej fillin!
Mbase ndokush me ndihmn të kuptoj?!!
Agron Gjekmarkaj
Top Channel