Nga Preç Zogaj
Presidenti i SHBA Biden mori në fund të javës së shkuar vendimin për t’u tërhequr nga gara për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti.
Një vendim i pa precedent, dramatik, largpamës, duke vënë në plan të parë interesin e Partisë Demokrate ku bën pjesë dhe të vendit të tij.
Krerë shtetesh e qeverish nga gjithë bota i kanë shprehur solidaritetin dhe kanë bërë vlerësime të larta për aktin dhe për karrierën e tij brilante gjysmëshekullore si Senator, Zëvendës-president dhe President i SHBA-së.
Vlerësimet kësisoj nuk mund të mungonin nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Si Senator dhe si kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit, Joe Biden ka dhënë një kontribut të dorës së parë për të formuar vizionin dhe veprimin e SHBA-ve në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përfshirë ndërhyrjen e trupave të NATO-s në vitin 1999, duke qenë ai një krah i fuqishëm i Presidentit Klinton në atë periudhë. Mund të themi edhe “skifteri” amerikan i atij intervenimi të cilin e kishte kërkuar disa herë para se të ndodhte.
Me të njëjtën qartësi e vendosmëri Biden ka përcjellë udhëtimin e Kosovës së lirë në sfidat e shtet-formimit, demokracisë dhe integrimit, qoftë gjatë presidencës Bush i Riu, qoftë gjatë presidencës Obama, zëvendës i të cilit shërbeu për tetë vite, qoftë gjatë mandatit të tij në vazhdim si kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Në të vërtetë në panteonin e mirënjohjes të Kosovës së lirë, për rrjedhim edhe të Shqipërisë, Joe Biden qëndron përkrah dy paraardhësve të tij, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush i Riu.
Por nuk mbaron këtu. Nga pozitat e Presidentit të SHBA, Biden është autor i shpalljes për herë të parë të antikorrupsionit si përparësi e politikës së jashtme amerikane, duke konsideruar se korrupsioni cënon sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe vendeve aleate. Më tej, që në vitin e parë të mandatit të tij Presidenti Biden nxori të famshmin Urdhër Ekzekutiv që e zgjeroi tematikisht dhe gjeografikisht urdhrin e paraardhësit të tij Bush të vitit 2001 për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke shtuar korrupsionin dhe duke përmendur me emër Shqipërinë. Këto shpallje dhe akte kanë formuar kornizën e përkushtimit konkret të Uashingtonit për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri. Konkretizimin e kësaj politike e kemi parë dhe e shohin çdo ditë, veç të tjerash në mbështetjen e fuqishme që SHBA u japin SPAK dhe drejtësisë së re në vendin tonë. Pa praninë shumë aktive amerikane Reforma në Drejtësi do të kishte mbetur në letër si shumë të tjera para saj dhe do të përmendej vetëm për të zbukuruar fjalimet e demagogëve politikë të Tiranës.
Për këto dhe shumë arsye të tjera, kreu i qeverisë Edi Rama dhe Presidenti Begaj kanë më shumë arsye se krerët e shteteve dhe qeverive perëndimore për t’i shprehur solidaritetin dhe vlerësimet Presidentit Biden. Siç bënë Osmani dhe Kurti në Kosovë. Mirënjohja nuk është rreshtim politik. Por edhe po të ishte! Është e sigurtë se askush në shtabin e kandidatit republikan Tramp nuk mban shënim se çfarë thonë liderit në Tiranë. Siç nuk kanë mbajtur kur Rama s’pati lënë gjë pa thënë kundër Tramp në vitin 2016.
Heshtja e Tiranës lexon keqkuptimin e krerëve me horizontin e politikës. Pse jo, dhe shpresën e të korruptuarve se mos një ndryshim në Shtëpinë e Bardhë në muajin nëntor do t’u jepte pak kohë të ndërmerrnin operacionin që kanë në mendje kundër drejtësisë se re. Iluzion! Kushdo që të fitojë në SHBA./Liberale.al
Top Channel