Emiratet e Bashkuara burgosin 57 bangladeshas për solidaritet me protestat në vendin e tyre (fotot)

24/07/2024 17:46

Një gjykatë në Emiratet e Bashkuara Arabe ka dënuar me burg 57 emigrantë nga Bangladeshi për organizimin e një demonstrate në vendin e Gjirit Persik, në solidaritet me lëvizjen e protestave të ashpra studentore në vendin e tyre.

Bangladeshi po dëshmon trazirat më të rënda anti-qeveritare në më shumë se një dekade që nisën me protestat studentore kundër kuotave për vendet e punës në administratë, që janë kthyer në një lëvizje të gjerë përplasjesh ku deri tani 170 njerëz raportohet se kanë humbur jetën.

Gjykata e lartë ka tërhequr tashmë rregullin e kuotave të vendeve të punës për studentët, por mijëra njerëz janë plagosur në mbështetje të studentëve që janë përleshur me policinë, e cila ka qëlluar me plumba gome e zjarri ndaj tyre.

Qeveria e kryeministres Sheikh Hasina kishte dhënë urdhër të “qëllojnë pa paralajmërim ndaj studentëve protestues” ka shpallur shtetrrethim dhe ndalim të komunikimeve, duke dislokuar ushtrinë në kryeqytetin Dhaka për të shuar protestat.

Emigrantë nga Bangladeshi kanë mbajtur demonstrata në vendet ku jetojnë e punojnë në solidaritet me trazirat në shtëpi, përfshi dhe ata në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Pas marshimit të solidatitetit në fundjavë në EBA “kundër vendimeve të qeverisë së Bangladeshit” dhjetra arrestime u bënë për të cilat u dhanë dënime të rënda, njoftonin autoritetet në EBA.

Zyrtarët e Emirateve thanë se tre protestues u dënuan me burgim të përjetshëm dhe 50 me 10 vjet burgim “për grumbullim e nxitje trazirash”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në EBA, e cila shtonte se pas dënimit ata do të deportohen.

Protestat e paautorizuara në EBA janë të ndaluara pasi “ofendojnë shtete të tjera dhe dëmtojnë marrëdhëniet me to”, sipas legjislacionit.

Në Bangladesh raportohet se janë arrestuar më shumë se 1,200 njerëz duke përfshirë studentë dhe opozitarë, sipas rrjetit AFP.

Qeveria atje tha se do të zbatojë vendimin e gjykatës për heqjen e kuotave të vendeve të punës duke caktuar se 93 e tyre do të jepen me meritë, pesë për qind për fëmijët e veteranëve të përpjekjes së pavarësisë së vendit në 1971, dhe dy përqind për minoritetet, njerëzit me paaftësi dhe LGBT.

Shumë vende kanë lëshuar paralajmërime kundër udhëtimit në Bangladesh, prej trazirave në vijim.

FOTO GALERI
2/3
170 njerëz raportohet se kanë humbur jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA