Një person i dyshuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë në maj të vitit të kaluar në Zveçan, është vënë në pranga në Mitrovicën e Jugut.
Policia e Kosovës në veri ka konfirmuar se bëhet fjalë për arrestimin e Dushan Drobacit, i cili “ka përdorur dhunë në mënyrë aktive në Zveçan dhe është i dyshuar për katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar”.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës, me shumicë serbe.
Si pasojë e dhunës, mbetën të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.
Në përvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it, më 29 maj, ky mision ka kërkuar që të mbahen përgjegjës të përfshirët në sulmin e vitit të kaluar. Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
Por, Serbia i ka mohuar akuzat dhe ka drejtuar gishtin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me pretendimin se synon “të shtyjë serbët drejt një konflikti me NATO-n”.
Top Channel