Kryetari i Komisionit Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit “TIMS”, Ervin Salianji, po prezanton në mbledhjen e sotme raportin përfundimtar, që në fakt, është përgatitur vetëm nga opozita, pasi mazhoranca ka me vete një tjetër raport.
Duke folur për rrjedhjen e të dhënave nga “TIMS”, në raportin e PD-së, thuhet se pavarësisht që drejtuesit e Policisë së Shtetit u njoftuan për ndërhyrjen e paligjshme në sistem në 2 gusht 2023, reagimi erdhi një ditë me vonesë.
“Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se njoftimi i parë për një ndërhyrje të paligjshme në sistemin TIMS ka ardhur nëpërmjet një email-i në orën 14:51 të datës 02.08.2023 nga shefi i Sektorit të Serverave, zoti Ardit Muço, i cili iu është përcjellë drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit. Më pas njoftimi i dytë ka ardhur nëpërmjet një email-i në orën 22:54 të datës 02.08.2023, ku krahas drejtuesve të Policisë së Shtetit, janë informuar mediat dhe drejtuesit kryesorë të shtetit, përfshirë Ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Megjithë njoftimet e marra nga Ministri i Brendshëm, zoti Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në datën 02.08.2023, datë në të cilën ka filluar edhe ndërhyrja në sistemin TIMS, reagimi institucional ka ardhur vetëm ditën e nesërme në datën 03.08.2023. Deklarimet e zotit Balla, zotit Rrumbullaku dhe zoti Veliu sa i përket marrjes dijeni dhe komunikimeve me njëri-tjetrin janë kontradiktore dhe nuk përputhen me njëra-tjetrën. Nëse reagimi do të kishte qenë në kohë, ndërhyrja e filluar në orën 18:00 të datës 02.08.2023 dhe e shtrirë deri në orën 02:00 të datës 03.08.2023, mund të ishte parandaluar”.
Sipas Salianjit, Ervin Muça, në pozicionin e Drejtorit të Departamentit të IT-së, nuk përmbushte kriteret për këtë detyrë.
“Konkretisht, ky shtetas ishte proceduar penalisht për falsifikim dokumentesh në shtetin italian në vitin 2007, ishte refuzuar leja e qëndrimit në vitin 2008, nuk kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit, nuk kishte kryer trajnimet e detyrueshme në Akademinë e Sigurisë, nuk ishte pajisur me Certifikatën e Sigurimit të Personelit dhe ishte njëkohësisht i punësuar si këshilltar i drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, megjithëse hetimet e kryera nga Prokuroria nuk kanë gjetur ndonjë produkt konkret pune”.
Më tej në raport, thuhet se procedurat e rekrutimit të ish-drejtorit Besjon Tanuzi dhe drejtorit aktual Enri Ndoni kanë qenë fiktive dhe me rezultat të paracaktuar. “Kjo duket nga fakti që ata kanë aplikuar dokumentet për t’u emëruar në këto pozicione para krijimit të vakancës, nuk ka pasur asnjë shpallje për vendin vakant në këto pozicione dhe kanë qenë kandidaturat e vetme që i janë paraqitur për miratim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, tha kreu i Komisionit, që shtoi se edhe procedura e ndjekur për emërimin e Drejtores së Hetimit të Krimit Kibernetik Ervina Gjana ka qenë fiktive dhe me rezultat të paracaktuar”, evidentohet në raport.
Sipas raportit, Muça dhe Tanuzaj, “kanë kryer një sërë shkeljesh ligjore, duke vënë në rrezik sigurinë e sistemit të dhënave TIMS”.
“Konkretisht, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar hyrjen e paautorizuar në ambientet e rëndësisë së veçantë të Policisë së Shtetit, nuk kanë marrë leje apo autorizim paraprak nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për kryerjen e procesit të back-up-it, kanë bërë transferimin pjesërisht të të dhënave të sistemit TIMS në pajisje të jashtme, kanë hyrë në godinë duke përdorur kodin e një punonjëse që ishte me leje vjetore, kanë operuar në orët e vona të natës dhe jashtë orarit zyrtar, kanë urdhëruar vartësit për kryerjen e detyrave në kundërshtim me ligjin, si dhe nuk kanë hartuar aktet sipas Urdhrit Nr. 3410, datë 28.04.2023 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Megjithë shkeljet flagrante të ligjit, këta punonjës janë pezulluar vetëm për një periudhë 5-ditore dhe më pas janë lejuar që të vijojnë punën normalisht, pa filluar procedura e shkarkimit nga detyra, në kushtet kur qoftë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ashtu edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishin konstatuar kryerjen e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, dhe duke vënë në rrezik sigurinë e një infrastrukture kritike për Policinë e Shtetit”.
Një vit më parë, hakerat e sponsorizuar nga Irani vunë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare, duke shkaktuar probleme në sistemin më të rëndësishëm të policisë shqiptare.
Pas kësaj ngjarjeje, në prill të këtij viti, nisi punën Komisioni Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit “TIMS”, me kryetar Ervin Salianjin dhe nënkryetar Toni Gogun. Ndërkohë, ish-drejtori i IT-së, Ervin Muço ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi dyshohet të ketë ndërhyrë verën e shkuar në sistemin TIMS.
Top Channel