Diskriminimi e varfëria, realitet gjithnjë e më i zakonshëm në Argjentinë (fotot)

23/07/2024 19:13

Jonathan Gomez rregullon dyshekun dhe ndez zjarr në një kove metalike për t’u mbrojtur nga i ftohti i kryeqytetit argjentinas, ku për një vit numri të pastrehëve është dyfishuar.

“Tani kanë nxjerrë një ligj që të pastrehëve u marrin sendet personale, dyshekun, batanijet, dhe përfundon mos më keq”, thotë 30 vjeçari për rrjetin AFP.

Jonathan punonte në ndërtim ose në restorante deri vitin që shkoi por vendet e punës janë mbyllur dhe tashmë ai ka mbetur jashtë, bashkë me partneren e tij Maria de los Angeles Lopez, 33 vjeçe.

Vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet të ultra-liberalit pro-biznes Javier Milei, statistikat në Buenos Aires tregojnë se varfëria është dyfishuar në krahasim me 2023.

Katër njerëz të pastrehë raportohet se kanë vdekur javët e fundit nga i ftohti në Buenos Aires ndërsa shumë refuzojnë të flenë në strehat shtetërore prej frikës së sulmeve, shkruan AFP.

“Policia nganjëherë na sjell një dyshek që të shkojmë në strehën që është si burg, dhe që njerëzit të mos shikojnë krizën ekonomike në rrugë”, shton Jonathan.

Në një magazinë pranë Universitetit Quilmes, në periferi të Buenos Aires, një radhë njerëzish presin të marrin një pjatë gjellë në kuzhinën e bamirësisë ‘Supersopa’, pasi qeveria e Milei ka shtuar taksat duke detyruar të mbyllen shumë nga këto mekanizma solidariteti që shpërndajnë ushqim.

“Ka humbje të të ardhurave prej inflacionit, si dhe prej papunësisë së familjarëve,” shpjegon Eduardo Donza, i grupit të Observatorit të Borxhit Shoqëror, duke shtuar se qeveria raportohet heziton të zbatojë një urdhër gjykate për shpërndarjen e disa ton ushqimeve për kuzhinat e bamirësisë, që i ka vendosur ‘në auditim’.

Vullnetarë e studentë universiteti kanë reaguar për të ndihmuar kundër krizës së re të urisë e mungesës së strehimit./AFP/

FOTO GALERI
4/5
"Ka humbje të të ardhurave prej inflacionit, si dhe prej papunësisë së familjarëve," shpjegon Eduardo Donza, i grupit të Observatorit të Borxhit Shoqëror

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA