Video/ Banorët djegin makinat e policisë pasi shërbimet sociale i marrin me forcë fëmijët familjes në veri të Anglisë (fotot)

20/07/2024 16:27

Në video shihen momentet që kanë shkaktuar trazira të ashpra që vijojnë ende në Leeds në veri të Anglisë, pasi policia dhe zyrtarët e shërbimeve sociale marrin me forcë katër fëmijë nga shtëpia dhe prindërit e tyre.

Pas regjistrimit të skenave të largimit të fëmijëve nga shtëpia dhe futjes së tyre në furgonët e policisë, komuniteti vendas u mblodh në qindra që nga zemërimi dogjën një makinë policie dhe një autobus, ndërsa zyrtarët thanë se kishin berë disa arrestime.

Në pamjet e zymta të regjistruara oficerët e policisë shiheshin që tërhiqnin fëmijët për t’i futur në një furgon.

Dëshmitarët thanë se kjo shkaktoi trazirat që zgjatën gjatë gjithë natës.

Banorët thonin se fëmijët janë me origjinë nga Rumania dhe të moshave katër, deri në 16 vjeç.

Intensiteti dhunës së banorëve që pasoi bëri që zjarrfikësit të mos pranonin të hynin në zonë për disa orë me radhë, shkruan rrjeti vendas.

Kreu i policisë vendase Pat Twiggs tha se oficerët ishin sulmuar me gurë e sende të forta kur shkuan të ndihmonin veprimin e Këshillit të Leeds për Mbrojtjen e Fëmijëve, që po merrte fëmijët nga shtëpia dhe prindërit e tyre.

Një grua që jeton në rrugën Luxor Street, ku ndodhi incidenti, tha se banorët u mblodhën rreth shtëpisë ku oficerët po merrnin fëmijët dhe të skandalizuar nga veprimet e tyre u bënë shpejt agresivë.

Policia mori fëmijët nga shtëpia pasi shërbimet sociale thanë se “ishin të shqetësuar për mirëqenien e tyre” sepse prindërit bashkë me fëmijët donin të shkonin me avion në Rumani, dhe se më herët dy fëmijë kishin pësuar lëndime në kokë.

Njerëzit janë për të dytën ditë radhazi në rrugët e Leeds duke kërkuar kthimin e fëmijëve te prindërit nga agjencia shtetërore, teksa nëna e babai tyre thonë se janë në grevë urie.

Në video të publikuara anëtarët e komunitetit vendas shihet që brohorasin “Ktheni fëmijët”.

Stefania Banu, drejtuese lokale e komunitetit tha për rrjetin Daily Mirror: “Nëna e babai refuzojnë të ushqehen deri në kthimin e fëmijëve të tyre, dhe ne i mbështesim ata plotësisht”.

Dëshmitarët thanë se marrja e dhunshme e fëmijëve nga prindërit nisi trazirat e një nate më parë që vijojnë dhe sot.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA