E ftuar në “Artkand”, Alda Bardhyli foli për letrat e dashurisë të poetit të madh shqiptar, Lasgush Poradeci.
Ajo tregoi për letrat që poeti i madh i shkroi bashkëshortes së tij, Nafijes, por edhe një vajze holandeze dhe një greke.
“Nafija është bashkëshortja e tij, ose ashtu siç ai i fliste në letrat e para shqipe. Një vajzë nga qyteti i Durrësit, të cilën e deshi dhe lidhi kurorë pasi u kthye nga studimet në Austri. Është gruaja që i qëndroi pranë gjithë jetën, gruaja që e kuptoi, gruaja që ai e kujtoi me adhurim edhe kur ajo nuk ishte më. Dashuria e tij për Nafijen ishte ndryshe. Ishte një dashuri shumë e bukur, e cila shihet edhe në letrat e tij. Janë shumë letra që Lasgushi ia shkroi asaj, jo vetëm gjatë periudhës së dashurisë, kur dihet që dy të dashuruar shkëmbejnë ndoshta më shumë letra, por edhe gjatë jetës bashkëshortore, të botuara së fundmi, disa vite më parë nga vajza e tyre Maria, e cila ka bërë një punë të shkëlqyer me arkivin e të atit.
Duhet të them që Lasgush Poradeci është një nga figurat më interesante dhe më të bukura në kompleksitetin dhe qenien e tij njerëzor, si njeri, si shkrimtar, si poet. Ai jetoi si i tillë. Mjafton të lexojmë “Ftesë në studio”, apo “Ikja në shtegun e fundit” nga Kadare për të kuptuar gjithë këtë personalitet të jashtëzakonshëm që ai kishte, misterin që ai mbarte. Ai mister i bëri dhe më interesante vargjet që shkroi. Sigurisht që ka shumë letërkëmbime dhe kjo është një pasuri e çmuar që Poradeci i jep letërsisë shqipe.
Letrat më interesante janë ato me Rozën, vajzën holandeze që ai ndoshta duhet ta ketë njohur gjatë kohës kur studionte në Austri. Aq e lidhur ishte nga kjo dashuri, saqë ajo erdhi në Shqipëri, por më pas iku, ashtu siç ikin të gjitha dashuritë e mëdha. Ai e kërkoi dhe më pas e përjetësoi në vargjet që shkroi.
Sipas Marias, janë edhe disa letra në greqisht, me një vajze greke, historia që ka pasur me një figurë të njohur të arteve figurative shqiptare, pasi duhet thënë që Lasgushi nuk ishte vetëm poet, por ishte dhe një njohës shumë i mirë i pikturës. Fillimisht ai ka studiuar për arte të bukura në Bukuresht. Më pas shkoi për filologji në Gratz të Austrisë. Kështu që ishte një figurë, një personalitet i kompletuar në qasjet dhe vizionin e tij për artin. Kjo në fakt ndjehet në shkrimet, në rrëfimet e tij”, u shpreh Bardhyli.
Top Channel