Neonazisti i ri dënohet 2 vjet burg në Francë për ‘komplot ndaj pishtarit Olimpik’ (fotot)

20/07/2024 17:39

19-vjeçari francez u dënua me gjykim të përshpejtuar për shpërndarje të instruksioneve të krijimit të bombës në rrjetet sociale, së bashku me postime urrejtjeje e kërcënime ndaj autoriteteve, mes të cilave kërkonte të sulmonte edhe ceremoninë e pishtarit olimpik.

Prokuroria e Parisit tha se 19 vjeçari simpatizant neo-nazist, nga rajoni i Alsace në lindje të Francës, drejtonte një grup virtual në rrjet të quajtur “Divizioni Arjan Francez” që kishte hapur në rrjetin Telegram, ku anëtarët shprehnin fantazitë e tyre për dhunë ndaj autoriteteve dhe agjencive qeveritare, që i konsideronin shtypëse armike të popullit.

Ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin tha se policia anti-terror kishte arrestuar të riun pasi kihste shprehur “vullnetin për të ndërhyrë në ceremoninë e kalimi të pishtarit Olimpik”, që është zhvendosja e simbolit të Lojrave Olimpike nëpër Francë dhe territoret franceze jashtë vendit.

Darmanin tha se i riu ishte sinjalizuar më parë për “ide ultra-të djathta, që quhen ndryshe neo-Naziste.”

Kryeqyteti francez ka shtuar operacionet e sigurisë për Lojrat Olimpike, duke dislokuar rreth  45,000 policë e xhandarë, si dhe 10,000 ushtarë që patrullojnë, shkruajnë mediat vendase.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA