Zjarret në pyje janë bërë problematike edhe në veri të vendit. Situata më problematike këto ditë ka qenë në qarkun e Dibrës, në Balgjaj, Klos dhe në fshatin Madhesh, në Ulëz, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyll, dushqe dhe pisha.
Efektivët e Batalionit të tretë të Burrelit, janë angazhuar në këto operacione, tregojnë vështirësitë e punës për shkak të terrenit. Ata po punojnë prej disa ditësh në zonë ku ka disa vatra zjarri. Në ndihmë të forcave tokësore janë edhe helikopterët nga ajri që po hedhin ujë.
“Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar ato”, thotë Nëntoger Kejdi Vani, duke shtuar se ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këtë betejë.
“Forcat tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe besoj se kemi kryer detyrën si duhet. Kemi qenë të angazhuar plotësisht që nga momenti i parë kur morëm njoftimin dhe do të vazhdojmë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit”, shprehet tetari Klodjan Troci .
Ministria e Mbrojtjes bën apel për të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr dhe të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar pasojat.
Top Channel