Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat ka nisur nga puna duke ofruar shërbim për të gjithë qytetarët e Burrelit dhe Klosit.
Afro 15 mijë drejtues mjetesh dhe rreth 7 mijë automjete do të marrin shërbim në këtë drejtori, duke i kursyer kohë, pa qenë e nevojshme të udhëtojnë më drejt Dibrës.
Zëvendëskryeministrja, gjithashtu Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ilir Mengra, si dhe kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj vizituan nga afër ambientet e DRSHTRR.
“Me hapjen e kësaj qendre këtu do të përfitohen miliona minuta të humbura, por edhe para të shpenzuara në karburant për të gjitha ato automjete të cilat ishin të dislokuara në Mat, por shkonin të merrnin shërbimet në Dibër”, u shpreh Balluku.
Ajo gjithashtu shtoi: “Janë vendime që merren në bazë të analizave duke parë numrin e automjeteve, duke parë distancën, duke parë kompleksitete të tjera. Por unë besoj që ata që e vlerësojnë më shumë do të jenë bizneset pasi zona ka numër të shtuar të automjeteve të rënda të cilat sigurisht janë komponent i disa bizneseve të Matit dhe kishte dhe kosto financiare në bizneset e tyre, ishin pesha që ata mbanin sa i përket të gjithë pjesës së marrjes së shërbimeve nga DRSHTRR-ja e Dibrës”.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj tha se hapja e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor është një ndihmë e madhe për të gjithë qytetarët e kësaj bashkie, pasi nuk ju duhet më që të udhëtojnë drejt Dibrës për të marrë shërbimet që lidhen me automjetet e tyre.
Top Channel