Deputeti socialist, Erion Braçe gjatë fjalës në mbledhjen e Komisionit Antikorrupsion tha se kontrolli i figurës duhet të bëhet i detyrueshëm.
Ai thekosi se kontrolli i figurës duhet të nisë nga institucionet më të rëndësishme si Qeveria apo Kuvendi dhe deri në administratë.
Braçe: Njohim çdo arritje të bërë në fushën e antikorrupsionit, edhe dje raporti i DASH vlerësonte faktin që është bërë përparim falë teknologjisë. Nuk e kemi nisur kot apo për shkak të hierarkisë sepse mendojmë se atje duhet adresuar problemi tek partitë dhe trupat që krijohen nga zgjedhjet e njerëzve, trupat politike brenda partive, brenda institucioneve të rëndësishme kushtetuese si Kuvendi, Qeveria, deri në nivelin administrativ, për ne është shumë e rëndësishme që këto trupa t’i nënshtrohen kontrollit të figurës.
Deri tani ka qenë fakultative në vullnetin e partive politike, tani duam ta bëjmë të detyrueshëm kontrollin e figurës, duam që këto trupa t’i ruhen fort qoftë kapjes në nivelin kombëtar, qoftë edhe kapjes në nivelin ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e huaja keqadashëse synimin kryesor kanë kapjen e plotë të elitave politike, i kemi kushtuar një vëmendje të rëndësishme pikërisht këtij fakti kontrollit të figurës, dhe proceseve që burojnë nga këta trupa. Për shembull është Kuvendi i cili duhet mbrojtur pa më të voglin diskutim procesin ligjbërës nga klientelizmi, nga korrupsioni dhe nga kap-ja.
Në krahun tjetër kemi një problem shumë të madh sa i takon kënetëzimit të nivelit politik të drejtimit të administratës, kemi vendosje dhe qëndrim në detyra politike në administratë që shkojnë përtej afateve logjike dhe përshtatje të afateve që i shkojnë për shtat korruptimit të zyrtarëve.
Braçe theksoi se duhet të nxitet përkohshmëria në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit.
Braçe: Dua të nxisim përkohshmërinë e drejtuesve politikë në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit, nuk mundet që një drejtues të shkojë 6, 8 9 vjet, nuk i nënshtrohet kontrollit dhe gjykimit me votë, por një emërimi politik që vjen nga një tjetër zyrtar politik, për këtë arsye duam përkohshmëri të qenies së tyre në detyrë, në funksionin politik që mbajnë.
Top Channel