Bangladeshi bllokon komunikimet teksa protestat e dhunshme studentore vijojnë (fotot)

19/07/2024 16:35

Interneti në celularë është ndaluar tashmë, bashkë me transmetimet e lajmeve në rrjet teksa studentët në Bangladesh vijojnë ashpër protestat e nisura fillimisht kundër kuotave qeveritare për vendet e punës që i konsiderojnë diskriminuese, megjithë tërheqjen e qeverisë nga masa.

Sipas raportimeve të fundit, 39 njerëz kanë humbur jetën vetëm kësaj jave, shumica studentë protestues.

Dje qeveria njoftoi mbylljen e internetit në celularë për arsye sigurie teksa dhjetra mijëra studentë vijojnë të përleshen me oficerët kundër urdhrave të qeverisë.

Sot stacionet televizive nuk transmetonin teksa selia kryesore televizive në kryeqytetin Daka raportohet se ishte bastisur nga protestuesit.

Protestat e nisura këtë muaj në kampuset universitare kundërshtonin rikthimin e rregullit që rezervon 30% të vendeve shtetërore të punës për fëmijët e veteranëve që kanë luftuar në pavarësinë e Bangladeshit në 1971.

Protestuesit argumentojnë se ligji është diskriminues dhe se prej tij përfitojnë vetëm militantët e partisë Awami në pushtet e drejtuar nga kryeministrja Sheikh Hasina.

Demonstratat janë përshkallëzuar në lëvizjen më të dhunshëm anti-qeveritare në një dekadë ku protestuesit janë sulmuar nga policia dhe grupe studentësh pro-qeveritarë.

E përditshmja vendase ‘Dhaka Times’ tha se gazetari i saj Mehedi Hasan, u vra duke mbuluar protestën në kryeqytet.

Dje protestuesit bastisën selinë e televizionit shtetëror dhe i vunë zjarrin, por autoritete më vonë thanë se ndërtesa ishte zbrazur nga protestuesit.

Ministri i komunikimeve Zunaid Ahmed Palak tha se aksesi në komunikime ishte shkurtuar prej përdorimit “si armë të dezinformimit dhe gënjeshtrave anti-qeveritare”.

Presidenti 76 vjeçar ka urdhëruar mbylljen e universiteteve ndërsa një ditë më parë tha se dënonte vdekjet e studentëve dhe premtonte drejtësi, por kjo nuk ka qetësuar trazirat.

Dëshmitarët thonë se protestat kanë marrë tashmë tone të gjera anti-qeveritare, kundër Hasina e partisë së saj, me slogane ku ajo quhet “diktatore autoritare”.

Hasina është në pushtet prej vitit 2009 dhe ka kryesuar një fushatë të ashpër kundër disidentëve politikë, me arrestime e zhdukje të jashtëligjshme, shkruan The Guardian.

Ajo ka nxitur më tej zemërimin duke quajtur protestuesit me termin ofendues “razakar”, që përdorej për tradhtarët e kombit gjatë konfliktit të pavarësisë me Pakistanin.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA