Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, tha se vrasja e një zyrtari policor në Lloznicë dyshohet të jetë akt terrorist.

“Nuk mund të jetë i rastësishëm, është një sulm i organizuar. Prokuroria për krim të organizuar do ta konsiderojë këtë rast si akt terrorist”, tha Daçiç.

Në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Por, Daçiç tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë. “Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiç.

Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Brendshme gjermane lidhur me këtë rast, por ky institucion ka thënë se nuk komenton rastet individuale. Po ashtu, një person tjetër, sipas Daçiçit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.

Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”. “Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.

Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.

Kurti: Të mos politizohet ky rast

Për vrasjen e policit serb është pyetur në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA