Alda Nikolli, një nga motrat të cilave iu vu tritol në banesën ku jetonin me qira në Elbasan, ka folur ekskluzivisht për Top Channel, në një intervistë me gazetaren Dorjana Bezat.
Ndër të tjera ajo ka rrëfyer se me Nuredin Dumanin ka pasur një romancë prej dy muajsh dhe se kanë pasur komunikim të vazhdueshëm përmes Skype, ndërsa ai ndodhet në burg.
Ajo pretendon se pasi janë ndarë, ai e ka kërcënuar, dhe se dyshon se tritolin ia ka vendosur ai në banesë.
Po ashtu ajo thotë se Dumani i ka rrëfyer shumë nga krimet që ka bërë, dhe se sipas saj, ai vendos gjoba edhe nga burgu.
Pjesë nga intervista ku tregon se çfarë i ka rrëfyer Nuredin Dumani:
Alda Nikolli: Kishte dy vite që i kishte ndaluar gocat ajo (prokurorja). Nuredin Dumani kështu jeton, duke i vënë gjoba njerëzve, se nuk është se ka lekë.
Dorjana Bezat: Çfarë di ti për këtë gjobvënie? Vazhdon ta bëjë edhe në burg?
Alda Nikolli: Patjetër që po. Jo më larg se para disa ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro. E ka detyruar të pranojë gjëra që ai nuk i ka bërë.
Dorjana Bezat: Në çfarë formash?
Alda Nikolli: Me presion. Do t’ia vinte edhe “Dakut”, ai është Leonard Luzi, por për fat të keq është kapur dje dhe nuk arriti dot t’ia vë. Kishte një kompjuter.
Dorjana Bezat: Kishte laptop personal?
Alda Nikolli: Po, po patjetër. Kishte çdo gjë. E kishte dhomën si hotel, jo burg. Televizor, thika, kondicioner, unë s’kam kondicioner tek shtëpia ime. Nuredini ka.
Dorjana Bezat: Po çfarë të tregonte nga aktiviteti i tij?
Alda Nikolli: Më tregonte për ato vrasjet që kishte bërë me gjakftohtësinë më të madhe, më tregonte për atë vajzën që kishte përdhunuar dhe që ishte hedhur para makinës dhe kishte vdekur, e shumë gjëra të tjera.
Ndërkohë që unë nuk e dija që Nuredin Dumani na paska pasur edhe Mirjetën jashtë. Ka të dashur, është vajza që është kapur ditën e denoncimit, Mirjeta Avdiu. Mirjeta na mori guximin edhe të na kërcënojë. Ma vërteto thoshte që ke folur me të.
Moj po kam folur i thoja, ia vërtetova me një voice. Pas 5 minutash ka marrë Nuredin Dumanin në telefon dhe më ka kërcënuar. Nuredin Dumani edhe pasi u mor vesh për Mirjetën, ne kemi vazhduar akoma të flasim. Por në momentin që ai mori vesh që unë kisha shkuar në SPAK dhe kisha deklaruar që unë i kam dorëzuar letrat atij… ai mban një bllok. Nuredin Dumani i ka shkëputur kontaktet me mua që në momentin që më ka kërcënuar. I kanë bllokuar të gjitha adresat. Që të rrinte i qetë. Donte të më linte i qetë nja dy dit dhe të vepronte pastaj. Më ka kërcënuar me Amarildon dhe e ka rrahur dy herë brenda javës. Aty, ai bën ligjin, ai futet me gjithë policë në dhomë. Mjafto shiko kërcënimet, atë që ndodhi para disa ditësh (shpërthimi me tritol), ky është Nuerdin Dumani, që merret me femra, se me burrat i ka mbyllur hesapet.
Dorjana Bezat: Për të gjitha dijenitë që ke për veprime të paligjshme që Nuredin Dumani i bën në ambientet e burgut, por edhe kërcënimet e drejtpërdrejta që ke marrë për jetën tënde, a i je drejtuar drejtësisë apo policisë?
Alda Nikolli: Patjetër që po. Nuk do të vija kurrë këtu përpara se të shkoja tek shteti. Unë kam shkuar në SPAK, kam vajtur tek Policia e Elbasanit. Asnjë nuk e merr mundimin, ose më saktë nuk ka shance ta bëjnë një denoncim kundrejt Nuredin Dumanit. Atë e duan më shumë se populli dhe e mbrojnë me gjithë forcën e shpirtit. Ndihem e rrezikuar. Në SPAK më thanë se nuk ka dashur të të vrasë, por të të trembë. Nuk e di, mbase këtë radhë edhe e arrin.
Top Channel