Bizneset po rimbursohen në kohë/ Në gjashtë muajt e parë të 2024, u zërua stoku i detyrimeve të prapambetura të TVSH-së

18/07/2024 19:48

Stoku i detyrimeve të prapambetura të TVSH-së ka rezultuar në zero në fund të 6 mujorit 2024, duke vijuar traditën e nisur nga një vit më parë.

Rimbursimi i TVSH-së po kryhet me afate të përshpejtuara, duke ulur kohën mesatare të rimbursimit të TVSH-së për bizneset, e cila në 6-mujorin e vitit 2024 raportohet të jetë mesatarisht 35 ditë.

Shifrat tregojnë se edhe koha mesatare e procesimit të kërkesave për rimbursim të TVSH-së ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm. Koha për të kryer këtë proces në vitin 2019 arrinte deri në 160 ditë duke sjellë për pasojë edhe stok të detyrimeve të prapambetura sa i përket rimbursimit të TVSH-së.

Sipas të dhënave të tatimeve, gjatë 6-mujorit të pare 2024 ka patur 1367 kërkesa për rimbursim të TVSH-së, nga të cilat janë miratuar 816 kërkesa.

Në ndihmë të procesit të zhvilluar nga administrata tatimore ka ardhur edhe  sistemi i dedikuar elektronik i aplikimit, aktiv që nga viti 2022 sa i përket rimbursimit të TVSH-së dhe në të gjitha rastet kur bizneset nuk i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, ata përfitojnë brenda afateve të reduktuara rimbursimin e TVSH-së.

Sipas të dhënave, rimbursimet për periudhën 6-mujore 2024 janë 13.3 miliardë lekë, ose 4.1 miliardë lekë më shumë se 6-mujori 2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA