Mbi 60 palestinezë të vrarë nga sulmet e Izraelit në Gazë

17/07/2024 08:11

Sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 60 palestinezë në Gazën jugore dhe qendrore gjatë ditë së djeshme dhe natës së shkuar, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Njëri prej sulmeve goditi një “zonë të sigurt”, të shpallur nga Izraeli, e cila ishte e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur.

Duke iu referuar mesa duket këtij sulmi, ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një komandant në njësinë detare të grupit militant, Xhihadi Islamik, në perëndim të qytetit Kan Jonis.

Ajo tha se është duke i analizuar raportet për vrasjen e civilëve.

Zyrtarët në Spitalin Naser të Kan Jonisit thanë se së paku 17 persona janë vrarë vetëm në këtë sulm.

Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit në Gazë, përfshirë një më 13 korrik në kampin e refugjatëve, Al Mavasi, ku u vranë më shumë se 90 njerëz.

Lufta në Gazë nisi tetorin e kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.

Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha këtë javë se numri i viktimave në Gazë “është në mënyrë të papranushme i lartë”.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Egjipti dhe Katari, janë duke punuar për të bindur Izraelin dhe Hamasin për një marrëveshje, që do t’i ndalonte luftimet dhe do t’i lironte rreth 120 pengje që mbahen ende nga grupi militant në Gazë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA