Konfindustria shpreh shqetësimin për mosdhënien e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset nga sistemi i gjendjes civile në shkallë vendi për një periudhë kohore pothuaj 2 javore.
“Shkak për sa më sipër, sipas të dhënave të tërthorta, është rënia e sistemit kibernetik, përgjegjësi e drejtpërdrejtë e AKSH-it”, u shpreh administratori Gjergj Buxhuku,
Gjendja është veçanërisht problematike për qytetarët shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit. Me një goditje të drejtpërdrejtë të seriozitetit minimal të shtetit, autoritetet përgjegjëse nuk kanë kryer asnjë njoftim publik për sa më sipër. Autoritetet nuk kanë parashikuar dhe marrë masa ligjore për vazhdimin e dhënies së shërbimeve në mënyrë manuale në rastet kur sistemi informatik nuk është funksional.
Konfindustria vlerëson, se rënia e përsëritur dhe e tejzgjatur e sistemit informatike të ofruara nga AKSH-i, përfshi dhe të gjendjes civile në shkallë vendi së fundmi, është shprehje e keqpërdorimit të qindra milionë euro investime në sektorin e teknologjisë.
Gjithashtu, ndalimi i plotë i dhënies së shërbimeve nga gjendja civile tregon, se ka mangësi të shumta dhe paaftësi profesionale e theksuar në legjislacionin në fuqi. Në të gjitha vendet e zhvilluara demokratike, në kushtet e rënies së sistemeve informatike për arsye teknike ose/dhe në kushtet e luftës së mundshme hibride, shërbimet jetike për qytetarët dhe bizneset janë parashikuar në ligj të kryhen dorazi.
“Unë punoj ekonomiste në një kompani dhe kam disa ditë që kam probleme me platformën eAlbania”, shprehet një qytetar.
“Unë punoj avokat dhe këtë shqetësim e kam hasur tek klientët e mi, që ankohen se nuk shkarkojnë dot dokumente, nuk bëjnë dot regjistrimin e fëmijës në shkollë, nuk tërheqin dot një certifikatë martese, apo vdekje”, tha një tjetër qytetar.
Top Channel i kërkoi një prononcim kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, Vangjush Stavro, i cili na u përgjigj se e ka të pamundur të na përgjigjet sot.
Top Channel