Kosova dhe Serbia, sipas udhëzimeve të ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajcak, do të duhet të dërgojnë deri më 18 korrik komentet e tyre mbi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve.

Nga Qeveria e Kosovës, thonë që kanë përgatitur komentet e tyre dhe do t’i dërgojnë sipas afatit, megjithatë fajësojnë Serbinë për mungesë të vullnetit për zbatim të marrëveshjes.

“Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen plotësisht, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, thuhet në përgjigjen e ekzekutivit.

Megjithatë, as me komentet e palëve, nuk pritet të ketë hapa konkret në këtë drejtim. Sipas njohësve, Serbia është ajo që do të vazhdojë me zvarritjen e procesit.

“Duke ditur që problemi kryesor është Serbia e cila për dy arsye nuk do të lëvizë fare nga pika A në pikën B. E para, BE-ja nuk e merr seriozisht dhe e dyta, Serbia do të pres administratën e re në SHBA. Që i bie para marsit 2025 nuk do të ketë lëvizje serioze në këtë drejtim”, tha Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Po ashtu, krejt çka pritet nga procesi i dialogut janë vetëm takime në nivel të kryenegociatorëve.

“Ajo çka mund të presim në shtator është që Bashkimi Evropian të mundohet ta mirëmbajë dialogun në kushte të një normaliteti vetëm në aspektin teknik”, tha ai.

Takimet e muajit qershor, ai në mes të kryenegociatorëve dhe në nivel të lartë të negociatorëve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciç nuk prodhuan asnjë lëvizje në drejtim të zbatimit. Kjo pasi Kurti nuk pranoi takim me Vuciçin dhe vendosi tre kushte, formalizmin e marrëveshjes bazike të normalizimit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiç si dhe dorëzimin e Milan Radojiciç, personit përgjegjës për sulmin në Banjskë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA