Debati për plazhet bosh, Berisha: Çdo qytetar ka përfituar vetëm 4 euro nga turizmi

17/07/2024 20:48

Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij edhe këtë mbrëmje ka mbajtur fjalën para disa mbështetësve të tij dhe përfaqësues të PD, të mbledhur në “rrugicën e shpresës”.

Gjatë fjalimit, Berisha tha se “çdo qytetar shqiptar ka përfituar vetëm 4 euro nga fluksi turistik”

“Edi Rama dhe televizionet e tij turiste, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se vitin e kaluar morën, patën 10.1 milionë turistë. Mirëpo, po statistikat e narkoqeverisë së Edi Ramës thonë se në 109 mijë shtretër turistikë të Shqipërisë, u regjistruan gjithsej 6 milionë net fjetje.

Pra, miqtë e mi, me këtë llogari i bie se çdo turist fjeti në Shqipëri dy orë më shumë se gjysmë nate, apo një orë më shumë se gjysëm nate. Nga 10 milionë, janë 6 milionë net.

Më falni, nuk po shkoj larg unë, as në Spanjë, as në Itali, Francë apo ndonjë vend tjetër, por po ndalem këtu në Mal të Zi, 100 e ca kilometra që këtu.

Ky vend, vitin e kaluar ka regjistruar 2.6 milionë të ardhur në Malin e Zi. Dhe ka regjistruar 16.3 milionë net fjetje.

Pra, turisti në Malin e Zi, 180 kilometra nga Tirana, ka regjistruar me 2.6 milionë, 16.3 milionë net, apo 6.2 net për turist.

Ka regjistuar pra miqtë e mi, fiks mbi 10-fishin e netëve për turist të Shqipërisë. Pra, qytetari i Malit të Zi, ka përfituar nga taksat e këtyre net fjetje, 10 herë më shumë se qytetari i Shqipërisë. 10 herë më shumë, por unë po i marr të dhënat siç janë.

Ku kanë shkuar këto? Që të gjitha këto 10 herë më pak për shqiptarët atëherë, kanë shkuar në kontot bankare të klientelës së Edi Ramës, qeveritarëve, por jo në taksa që duhet të ktheheshin në buxhet për arsimin, shëndetësinë, për rrogat, pensionet.

Prapë vazhdojmë me këtë analizë, Edi Rama ka shndërruar këtë sektor në një mallkim për qytetarët. Po pse? Në vitin 2022, Ministria e Financave me fatura, konstaton se nga 7.2 milionë turistë, fjetjet e tyre në Shqipëri janë xhiruar 140 milionë euro. Nga të cilat janë paguar si TVSH me 6 përqind, që është TVSH e tyre, 8.5 milionë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Kanë ndarë pra, nga 7.2 milionë turistë, 8.5 milionë. Po t’i heqim kreditimin e TVSH, i bie 8 milionë. Pra o miqtë e mi, në këtë pasuri përrallore, çdo qytetar i këtij vendi, përveç atyre që janë pronar hotelesh e motelesh, ka përfituar 4 euro. Në qoftë se kemi përfituar gjithsej 8 milionë euro si popull dhe 4 euro për person, kemi shpenzuar nga paratë e buxhetit, nga taksat tuaja, kemi investuar në resortet turistike të klaneve të Edi Ramës, 430 milionë euro në vit”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA