Nga Artan Fuga
Kontrolli i lartë i shtetit një agjenci me besueshmëri publike, por që duhet të denoncojë publikisht me emër dhe mbiemër hajdutet që fshihen si naivë dhe thjesht abuzues të paaftë!
Në kuadrin e raportimeve që bëhen në Kuvendin e Shqipërisë, u paraqit edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Nuk ka vend të diskutohet se i gjithë opinioni publik në Shqipëri dhe shqiptarët gjithandej në botë janë jetësisht të interesuar për aktivitetin, dhe ushtrimin e detyrës nga ana e kësaj agjencie që me Kushtetutë është një organi i pavarur.
Ku duket ky interes? Mjafton të masësh shkallën e interesit në lexime të të dhënave që kanë raportet e KLSH kur ato botohen në platformat online për t’a kuptuar këtë.
Nuk është e rastit. Skandalet që kanë përfshirë administratorë të lartë dhe politikanë qendrorë dhe lokalë lidhur me abuzime skandaloze me paranë publike, bëjnë që pritshmëritë e opinionit publik ndaj KLSH të jenë shumtë larta.
Kur lexon këto raporte të botuara në faqen e web të KLSH apo në media, pyetja të lind vetiu ? Cfarë janë këto monstra që vjedhin dhe bëjnë batërdinë mbi paratë e taksapaguesve dhe grabisin pasuritë kombëtare? Cfarë janë këto monstra që kanë një performancë kaq të ulët në punën e tyre dhe livadhisin mbi financat publike duke u sulur mbi to si çakejtë?
Kontrolli i Lartë i Shtetit është një agjenci me besueshmëri nga më të mirat në vend. Dhe kur sheh që ndonjë deputet kërkon të intimidojë në kufijtë e fyerjes kontrollorë të lartë të shtetit duke kërkuar të likujdojë pavarësinë e tyre, thua: Si është e mundur? Në vend që deputetët ta inkurajojnë veprimtarinë e KLSH, për t’u bërë më e rreptë, më e drejtpërdrejtë, më zbuluese, bëjnë të kundërtën, pra ka prej tyre që kërkojnë ta tulasin! Kjo nuk ka veçse një shpjegim, vihen në rolin e militantëve që mbrojnë shpërdorimet e pjesëve të administratës dhe atyre nëpunësve që i quajnë si militantë të partisë së tyre, ndofta edhe sepse mendojnë se ato parà të grabitura, shpërdoruara janë përdorur për qëllime militante, ose sepse kuptojnë gabim rolin e tyre si deputetë.
Mos harrojmë se KLSH vepron sot në kushte shumë të vështira. Media e ka vështirë të bëjë investigime, ose krejt të pamundur. Partitë politike dhe deputetët në Kuvend nxjerrin të palara por besueshmëria e tyre është e ulët. Qytetari e ka të pamundur të gjejë të dhëna dhe informacione të marra nga administrata. Vetë kontrolli i brendshëm i administratës është shumë i ulët. Edhe vetë, kreu i SPAK ankohet se nuk ka denoncime për korrupsion që vijnë nga brenda administratës. Nëpunësit ose kanë frikë të denoncojnë ose janë indiferentë, ose nuk duan të rrezikojnë vendin e punës, ose ka prej tyre jo pak që janë vetë të korruptuar.
Në këto kushte deputetë të ndërgjegjshëm, intelektualë të pakorruptuar, opinioni publik nuk duhet ta humbasin torruan dhe lipset ta mbështesin cdo kontroll dhe audit të KLSH mbi këdo dhe kurdoherë.
Zërat e neveritshëm sipas të cilëve ne nuk ua hapim dyert KLSH dhe SPAK nuk janë veçse zëdhënës të pjesëve të korruptuarve të shoqërisë. Mjafton që i mbyllin derën KLSH për të thënë se ky është treguesi se aty peshku është qelbur edhe nga koka dhe nga bishti.
Krijimi i nënkomisionit që do të auditojë financat dhe performancën e KLS në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të paragjykohet. Por, nëse ky nënkomision fut hundët në pavarësinë e KLSH, e intimidon, i bën presione, e fyen KLSH, atëherë ky do të ishte një atentat i rëndë kundër atyre nëpunësve – kontrollorë që sakrifikojnë për të na dhënë sado pak dritë nga mënyra si menaxhohen paratë tona, pasuria jonë kombëtare.
Mos harrojmë se këta kontrollorë veprojnë në kushtet kur u kundërvihen edhe abuzimeve të njerëzve të fortë të veshur me pushtet dhe me lidhje në një pjesë të korruptuar të interesave private.
Duke e mbështetur fort KLSH, miqësisht unë kam dy sugjerime, pse edhe jo kritika: Atje ku është abuzuar duhet të mbajë përgjegjësi jo vetëm kreu i asaj agjencie në fjalë, le të jetë edhe një agjenci ëngjëjsh – djaj apo djajsh veshur me petka ëngjëjsh. Hajduti është hajdut. Por, përgjegjësi të rëndë penale madje ka edhe vetë ai që ka përfituar ose abuzuar duke qenë nën ombrellën e shefit.
E dyta, lutem që abuzuesit në publik mos i nxjerrin me iniciale, por me emra dhe me mbiemra, me gërma të mëdha, le ta heqin vetën se janë ajnshtajna, pastëra, klodlevistrosa, a çfarë të duan. Hajduti është hajdut! Unë nuk po them t’i hypin në një podium në qendër të Tiranës, apo t’i shëtisin lakuriq me duar të lidhura me litar te pedonalja që lidh bulevardin kryesor të Tiranës me Rrugën e Elbasanit, duke i zhveshur lakuriq para njerëzve, por me emër dhe mbiemër duhet t’i nxjerrin.
Dhe e fundit, miqësisht, nuk ka abuzim që të mos jetë vjedhje. Quheni macen mace dhe qenin qen!
Top Channel