SPAK do kujdeset për zgjedhjet në 2025, Altin Dumani në Kuvend: Kemi një strategji të krimeve zgjedhore

15/07/2024 15:02

Kreu i SPAK Altin Dumani hyri në parlament pak përpara orës në 10.

Në sallën plenare nga ku lexoi raportin vjetor,  gjeti  jo të gjithë ata deputetë, tashmë të njohur publikisht si subjekte nën hetim të pasurisë prej Prokurorisë së Posaçme. Në një kohë kur nga kjo sallë janë lëshuar akuza për blerje mandatesh me para gjatë fushatave zgjedhore, Altin Dumani zbuloi se cili do të jetë roli i SPAK në zgjedhjet e përgjithshme të 2025.

“Prezantojmë në Janar 2025 strategji për krimet zgjedhore 2025- krijuar infrastrukturë hetime para dhe gjatë zgjedhjeve 2025”, tha Dumani.

Kreu i prokurorisë së SPAK përsëriti shqetësimin e mos-ardhjes së denoncimeve nga zyrat e shtetit atje ku ndodh korrupsioni.

Altin Dumani u pyet nga deputetët në lidhje me skandalin e mikro-kredive ku janë prekur mijëra qytetarë.

“Nuk është një çështje e mos-filluar nga Prokuroria e Posaçme, edhe nga përmbajtja evidentohet si është historia e kallëzimit. E trajtoi fillimisht Prokuroria e Tiranës me kërkesë për pushim dhe iu drejtua gjykatës së Tiranës me një kërkesë për pushim. Gjykata e Tiranës na thirri si palë dhe prokurori i SPAK nuk është shprehur për pushimin”, u shpreh Dumani.

Altin Dumani foli edhe për nivelet që kanë arritur grupet kriminale shqiptare në trafikun e drogës.

Gazment Bardhi aludoi se kryeministri Rama përmes një personi të tretë i kishte dërguar një mesazh Altin Dumanit për çështjen Xibraka.

Altin Dumani shtoi: “Xibraka është në hetim, lidhur me kryeministrin apo çdo titullar marrëdhëniet e mija janë vetëm institucionale dhe proceduriale”.

SPAK tha Altin Dumani është duke parë mundësinë e hapjeve të zyrave të prokurorisë së posaçme edhe në disa qytete.

Më herët kryeprokurori Olsian Cela në parlament evidentoi Vlorën si qytetin me kriminalitetin më lartë dhe Dibrën më të ultin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA