Deputeti Tritan Shehu ka reaguar kundër Gazment Bardhit pasi sipas tij, në Konferencën e Kryetarëve duhet të ishte kërkuar më shumë kohë në dispozicion të opozitës për raportimet e institucioneve të pavarura në Kuvend.
Shehu tha se kjo seancë shumë e rëndësishme, ka procedurë tallëse jo vetëm për opozitën por edhe për institucionet që do raportojnë.
“Sot është procedurë e turpshme. Është një procedurë e ngjashme me ato të regjimeve që kërkojnë të krijojnë triumfalizëm dhe fasadë dhe të bllokojnë diskutimin e një çështjeje kaq të rëndësishme. Një sistem që është kthyer në armë të maxhorancës për të goditur opozitës.
Të diskutosh në këtë mënyrë, është denigruese për parlamentin dhe për institucionet që kanë mbledhur këtu. Kushdo që e ka vendosur, e ka vendosur pa dinjitet, pa mbrojtur vlerat e parlamentit dhe drejtësisë shqiptare. Propozoj të raportojë në mënyrë të veçantë çdo institucion me radhë. Po diskutojmë për një çështje të rëndësishme që po mban edhe kryetarin e PD të burgosur politik. Vini dorën mos lejoni që kjo seancë të vazhdojë si sallatë ruse këtu”-u shpreh Shehu.
Në përgjigje të tij, Gazment Bardhi tha se koha në Konferencën e Kryetarëve u vendos me shumicë votash.
Top Channel