“Po bëhet një gabim i madh”, Xhafaj kritika drejtësisë së re: Drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi

15/07/2024 21:18

Kreu i komisionit të Posaçëm Antikorrupsion Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, ka kritikuar drejtësinë e re, teksa ndër të tjera u shpreh se populizmi gjyqësor është shumë më i dëmshëm se ai politik.

Ai tha se drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi.

“Drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi çështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit. Edhe sepse çështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me lirit dhe të drejtat themelore të njeriut”, u shpreh ai.

Më tej shtoi se: Reforma në drejtësi, prokuroria e gjykatat nuk janë vetëm SPAK e GJKKO, por edhe ato dhjetra prokurori e gjykata në të gjithë territorin ku ka shumë e shumë më tepër probleme dhe në dyert e të cilave trokasin shumë më tepër njerëz që shpresojnë të zgjidhin drejt dhe në kohë hallet e tyre, të marrin drejtësi dhe të shërbehen me drejtësi.

Ish-ministri kujtoi përgjegjësinë që Kuvendi ka, sipas tij për të “reflektuar mbi problematikat dhe për të propozuar zgjidhjet e duhura, jo përmes tavolinave hermetike, por përmes një procesi gjithpërfshirës, transparent dhe profesional ku në qendër të këtij debati të jenë vet njerëzit e sistemit të drejtësisë”.

Xhafaj foli edhe për vendime të “keqarsyetuara dhe të keqshkruara” dhe për më tepër sipas tij, “qëndrime të ndryshme për çështje të së njëjtës natyrë janë prezente në të dy nivelet e gjykimit”.

Kryetar i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, pyetjet e deputetëve të opozitës i konsideroi si presion politik.

“Nuk është pozitive kur dëgjon në seancë një gjuhë presioni politik, në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve dhe tërësisht jashtë kufijve që parashikon kushtetuta e rregullorja e Kuvendit për procese të tilla me institucionet e pavarura të drejtësisë”, tha ai.

Më tej ai i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë dhe të bashkëpunojë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion.

“Opozita ende heziton të bëhet pjesë e këtij procesi dhe në vend të bashkëpunimit dhe përfshirjes me kontribute konkrete në këtë proces, ka zgjedhur paragjykimin mbi procesin dhe agresivitetin mbi vet sistemin e drejtësisë. Nuk mund të jesh një forcë serioze, se alternativë e besueshme jo e jo, nëse një pjesë e juaja i drejtohet SPAK-ut si në një gjyq popullor duke i kërkuar drejtësi e ndëshkim penal për kundërshtarët politik dhe pjesa tjetër bën dhunuesin publik ndaj tij sic ndodhi edhe në seancën e sotme! Nuk mund të ketë prokurorë apo gjyqtar të mirë kur ju jep të drejtë dhe prokurorë e gjyqtarë të kapur apo të blerë kur nuk u japin të drejtë”, deklaroi Xhafaj.

“Në vlerësimin tim aktualisht po bëhet një gabim i madh, me apo pa dashje. Të gjithë flasin, siç ndodhi edhe sot në këtë seancë, kryesisht vetëm për SPAK dhe me shumë të drejtë për çfarë ky institucion përfaqëson dhe po dëshmon me treguesit e punës së tij. Natyrisht SPAK, por edhe GJKKO kanë shumë arritje dhe një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe sidomos një shumicë e prokurorëve e hetuesve të SPAK janë duke duke dëshmuar integritet të lartë moral e profesional dhe duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kjo është një arritje e paimagjinueshme me pak vite më parë”, pohoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA