Tuneli i Llogorasë si “Big Brother”! Çdo lëvizje ndiqet me 100 kamera, Top Channel sjell pamjet nga salla e monitorimit

13/07/2024 12:59

Të gjitha lëvizjet dhe flukset në tunelin e Llogorasë monitorohen. Top Channel sjell për herë të parë pamjet brenda sallës ku mësohet të jenë vendosur më shumë se 100 kamera, përmes të cilave brenda 24 orëve punonjësit monitorojnë lëvizjen e çdo automjeti.

Ardino Halimi, inxhinieri i cili ka ndjekur punimet e këtij tuneli që nga nisja e tij shpjegon nëpërmjet monitorëve në sallë të gjithë lëvizjen brenda tunelit.

“Në monitorim janë vendosur në ambientet e tunelit më shumë se 100 kamera sigurie, dhe në çdo situatë që do vërehet nga kamerat, salla njofton zjarrfikësen si dhe trupën e ndërhyrjes teknike. Nëpër tunel kalojnë gati 10 mijë automjete në ditë. Ndërkohë që për ventilimin e tunelit janë 30 ventilator në të gjithë gjatësinë e tunelit”.

Ndërkohë, shefi i zjarrfikëseve, Luan Kapaj, thotë se janë në gatishmëri të plotë për të shmangur çdo aksident në hyrje-dalje apo brendësi të tunelit.

“Mjeti zjarrfikës është i kompletuar me të gjitha pajisjet dhe është i gatshëm për çdo ngjarje që mund të ndodhë në zonën e tunelit. Ndërkohë që ka qenë një rast në brendësi të tunelit ku një makinë ka rrezikuar të marrë flakë, ka qenë ndërhyrja e zjarrfikëseve në momentin e duhur që ka bërë te mundur izolimin e flakëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA