Sulm në zonën humanitare të Gazës/ Hamasi: 71 viktima dhe 289 të plagosur! Izraeli: Shenjestra ishin lider të lartë të organizatës

13/07/2024 14:32
Foto: Reuters

Të paktën 71 palestinezë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një zonë të humanitare, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi.

Mbi 289 persona mbetën të plagosur në sulmin, për të cilin Izraeli thotë se kishte në shënjestër liderë të lartë të Hamasit. Një zyrtar izraelit tha se sulmi kishte në shënjestër kreun e krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, në një “zonë të hapur” ku kishte “vetëm terroristë të Hamasit dhe jo civilë”. Rafa Salama, komandanti i Hamasit për Khan Younis, ishte gjithashtu në shënjestër të sulmit, tha zyrtari, duke e quajtur inteligjencën që çoi në incident “të saktë”.

Por, sipas Hamasit, sulmi ndodhi zonën al-Mawasi pranë Khan Younis, të cilën ushtria izraelite e ka caktuar si zonë humanitare, duke u bërë thirrje palestinezëve që të kërkojnë strehim atje.

“Nuk është hera e parë që Izraeli pretendon se ka në shënjestër liderët palestinezë, për t’u vërtetuar se është i rremë më vonë”, thuhet në një deklaratë të Hamasit.

Një dëshmitar okular në al-Mawasi i tha BBC-së se vendi i sulmit dukej sikur ishte goditur një “tërmet”, ndërsa videot nga zona tregojnë rrënojat dhe viktimat e gjakosura. Në pamjet tronditëse, duken njerëzit që përpiqen me dëshpërim të kapërcejnë rrënojat duke gërmuar me duar.

Sipas mjekëve, në kompleksin mjekësor Nasser në Khan Younis spitali është “i mbingarkuar” dhe nuk mund të funksionojë më.

Një zyrtar i Hamasit, i cituar nga Reuters, e quajti sulmin një “përshkallëzim të rëndë që tregon se Izraeli nuk është i interesuar të arrijë një marrëveshje armëpushimi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA