Vazhdon debati brenda Partisë Demokrate mbi kandidaturën e presidentit Biden

12/07/2024 22:03

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mori të premten mbështetje nga dy emra të njohur ndër radhët e demokratëve, të cilët thanë se ai duhet të qëndrojë në garën për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa anëtarë të tjerë të partisë po ngrenë pikëpyetje nëse presidenti aktual 81 vjeçar është në gjendje të rizgjidhet dhe të udhëheqë vendin.

“Jam me Bidenin, pavarësisht drejtimit që ai zgjedh”, tha ligjvënësi James Clyburn në programin ‘Today’ të rrjetit ‘NBC’, një ditë pas konferencës së presidentit Biden.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, emri i të cilit është përmendur si zëvendësues i mundshëm i zotit Biden, tha se është gjithashtu në mbështetje të presidentit. “Jam plotësisht me të. Nuk kemi dallime”, tha ai në një intervistë të publikuar nga rrjeti ‘CBS’.

Ligjvënësi Clyburn, 83 vjeçar, është një zë që gëzon respekt në mesin e komunitetit të afrikano-amerikanëve, mbështetja e të cilit është shumë i rëndësishëm për fushatën e presidentit Biden, ndërsa zoti Newsom, 56 vjeç, është një nga disa guvernatorët e rinj që shihen si e ardhmja e partisë.

Ndërkohë, një tjetër ligjvënës demokrat ka kërkuar që presidentit Biden të heqë dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Deri tani, të paktën 19 ligjvënës kanë kërkuar tërheqjen e zotit Biden në mënyrë që partia të mund të zgjedhë një kandidat tjetër, pas paraqitjes së tij në dobët në debatin e 27 qershorit kundër kundërshtarit republikan Donald Trump.

“Hapni udhën për një nga shumë udhëheqësit tanë të aftë demokratë, që të kemi mundësi më të mira për ta mposhtur Donald Trumpin”, shkroi në rrjete sociale ligjvënësja Brittany Pettersen.

Zyrtarët demokratë, donatorë dhe aktivistët po përpiqen të përcaktojnë nëse zoti Biden është kandidati i duhur për ta mposhtur zotin Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit dhe nëse është në gjendje të shërbejë për një mandat tjetër katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Dy donatorët demokratë, Dmitri Mehlhorn dhe John Morgan, i thanë agjencisë Reuters se besimi i tyre u rrit pas konferencës së mbrëmshme të presidentit Biden. Por, gazeta ‘New York Times’ njoftoi se i se donatorë të paidentifikuar i kanë thënë Komitetit të Veprimit Politik Demokrat, i ashtuquajtur “Super PAC” i cili mbldh fonde të dhuruara në mbështetje të zotit Biden, se afro 90 milionë dollarë të premtuara do të pezullohen në pritje të vendimit nëse Presidenti amerikan Joe Biden do të vazhdoje të mbrojë kandidaturen e tij.

Një grup ligjvënësish hispanikë biseduan me zotin Biden të premten, tha një ndihmës i tij. Ndërsa udhëheqësit e grupit kanë mbështetur presidentin, disa anëtarë të tjerë nuk kanë shprehur qëndrimet e tyre.

Takimi Jeffries-Biden

Hakeem Jeffries, udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se u takua me presidentin Biden të enjten mbrëma, për t’i përcjellë atij mendimet e ligjvënësve për kandidaturën e tij.

“Shpreha mendimet e gjera, pikëpamjet e sinqerta dhe përfundimet rreth rrugës që kemi përpara”, shkroi zoti Jeffries në një letër drejtuar kolegëve. Ai nuk tha nëse ai vetë mendon se zoti Biden duhet të qëndrojë në garë.

Ndërsa shumica e votuesve janë të ndarë në ideologjitë e tyre, sondazhet tregojnë se gara mbetet e ngushtë.

Demokratët janë të shqetësuar se mbështetja e ulët për zotin Biden dhe shqetësimet në rritje se ai është shumë i vjetër për këtë detyrë, mund t’u kushtojë me humbje të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, duke i lënë pa kontroll mbi pushtetin në Uashington, nëse republikani Trump fiton Shtëpinë e Bardhë. Konferenca e së enjtes e zotit Biden u dha argumente edhe atyre që e mbështesin edhe atyre që dyshojnë në kapacitetin e tij.

Në një moment, presidenti Biden iu referua nënpresidentes së tij Kamala Harris, si “nënpresidenti Trump”. Pak orë më parë, gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, ai prezantoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy si “presidenti Putin”.

Presidenti Biden herë pas here ngatërronte përgjigjet e tij në konferencë, por gjithashtu jepte vlerësime të hollësime mbi çështjet globale, duke përfshirë sulmin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin Izrael-Hamas në Gazë, gjë që solli në kujtesë përvojën e tij prej dekadash në skenën botërore.

Disa ekspertë demokratë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se paraqitja e zotit Biden nuk do të ketë ndikim të ndjeshëm në debatin brenda partisë mbi gjendjen e tij.

Presidenti Biden do të mundohet të zhvendosë vëmendjen tek rivali i tij Trump gjatë një tubimi në Detroit.

Ai dhe demokratë të tjerë kanë paralajmëruar se një program gjithëpërfshirës politik i hartuar nga aleatët konservator i quajtur ‘Projekti 2025’, do t’i jepte ish-presidentit Trump mundësi “të realizojë tekat e tij”. Zoti Trump është distancuar nga projekti.

Në Miçigan ndodhet edhe selia e sindikatës së punëtorëve të industrisë së automjeteve, udhëheqësit e së cilës kanë mbështetur zoti Biden, por tani po vlerësojnë opsionet e tyre, thanë tre burime për agjencinë Reuters.

Ish-presidenti Trump do të jetë në qendër të vëmendjes kombëtare javën e ardhshme. Partia Republikane do të mbajë kuvendin e saj në Miluoki, për t’i dhënë atij kandidaturën zyrtare për president.

Një sondazh i rrjeteve NPR dhe PBS, i publikuar të premten, zbuloi se presidenti Biden prin me 50 për qind me 48 për qind ndaj rivalit Trump, një rritje e lehtë nga pozita e tij para debatit. Por, disa ekspertë jopartiakë kanë paralajmëruar se zoti Biden po humbet terren në një pjesë të vogël të shteteve kyçe që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA