Rudy Giulianin mund të përballet me disa padi! Gjyqtari amerikan pritet t’i japë fund procesit të mbrojtjes për ish-avokatin e Trump

12/07/2024 07:56

Një gjyqtar amerikan tha të mërkurën se ai ka të ngjarë t’i japë fund procesit të mbrojtjes nga falimentimi të zotit Rudy Giuliani, dikur avokat i ish-presidentit Donald Trump. Vendimi do të mundësonte ngritjen e padive kundër zotit Giuliani për shpifje, ngacmim seksual dhe pretendime të tjera.

Gjyqtari për proceset që kanë lidhje me falimentimin, Sean Lane tha në një seancë gjyqësore në qytetin White Plains të Nju Jorkut, se ai do të vendosë të premten mbi disa kërkesa për të ardhmen e falimentimit të tij. Rudy Giuliani ishte kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut nga viti 1994 deri në vitin 2001.

Zoti Giuliani bëri kërkesë për mbrojtje nga falimentimi në muajin dhjetor pasi një gjykatë në Uashington e urdhëroi atë të paguante 148 milionë dollarë për dy punonjëse të zgjedhjeve në Xhorxhia. Ato u akuzuan padrejtësisht për manipulim të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

Procesi i falimentimit i pengoi ato që të merrnin shumën me të cilën ishte dënuar zoti Giuliani. Procesi gjithashtu pengoi paditë e tjera që kishin të bënin me punën e zotit Giuliani për zotin Trump, pasi ai kërkoi anulimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Javën e kaluar, zoti Giuliani kërkoi ta kthente çështjen e tij të falimentimit në një proces tjetër likuidimi që do ta detyronte atë të shiste pothuajse të gjitha pasuritë e tij. Një grup institucionesh kredi-dhënëse i kërkuan gjyqtarit Lane të caktonte një administrator për të marrë përsipër financat dhe bizneset e zotit Giuliani. Një grup tjetër bankash thanë se zoti Giuliani duhet të përjashtohej plotësisht nga procesi i falimentimit.

Zoti Lane tha se pezullimi i procesit të mbrojtjes nga falimentimi ishte opsioni më i mirë, duke pasur parasysh vështirësitë që gjykata ka pasur të marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga zoti Giuliani në lidhje me financat e tij.

Rrëzimi i procesit që ka të bëjë me falimentimin do t’iu mundësonte bankave që të rifillonin paditë kundër zotit Giuliani. Por kjo gjithashtu do t’i jepte më shumë liri atij për të apeluar vendimin për shpifje që e dënoi atë me 148 milionë dollarë.

Zonja Rachel Strickland, që përfaqëson ish-punonjëset zgjedhore të Xhorxhia-s, Wandrea Moss dhe nënen e saj, Ruby Freeman, tha se zoti Giuliani duhet të përjashtohet nga procesi i mbrojtjes nga falimentimi që klientët e saj të fillojnë përpjekjet të mbledhin paratë me të cilat është dënuar ai.

Afrikano-amerikanet Moss dhe Freeman, u përballën me një mori mesazhesh raciste dhe seksiste, përfshirë kërcënime për linçim, pasi ish Presidenti Trump dhe aleatët e tij përhapën pretendime të rreme se ato ishin përfshirë në mashtrimin elektoral.

Përveç padive civile, zoti Giuliani po përballet me akuza penale në Xhorxhia dhe Arizona për ndihmën e ofruar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Këto pretendime për zgjedhjet ishin arsyeja që ai humbi licencën për të ushtruar profesionin e avokatit në Nju Jork./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA