Katër emigrantë janë mbytur pasi varka me të cilën udhëtonin u përmbys gjatë një përpjekjeje për të kaluar La Manshin.
Lajmin e përcjell roja bregdetare franceze, e cila shpjegoi se emigrantët kishin rënë në det në brigjet e Boulogne-sur-Mer në Francën veriore.
“Katër persona u gjetën pa ndjenja e nuk mund të shpëtoheshin”, thuhet në deklaratën e policisë, ku theksohet po ashtu se 63 vetë të tjerë ndërkohë u shpëtuan. Sipas detajeve të deritanishme nga roja bregdetare, në përpjekjet e shpëtimit kanë ndihmuar gjithashtu edhe një helikopter dhe një anije peshkimi.
Mbi 13 mijë persona e kanë kaluar La Manshin deri më tani këtë vit. Rekordi i ri i kalimeve për 2024-tën u shënua në 18 qershor, kur 882 njerëz kaluan kanalin me 15 varka të vogla. Sipas të dhënave të Home Office, këto mbërritje ishin më të lartat në një ditë të vetme që nga tetori 2022.
Ndërkohë vetëm të hënën dhe të martën, sipas Home Office, këtë rrugë detare e kanë përshkuar 484 klandestinë. Në fillim të kësaj jave, qeveria e porsazgjedhur laburiste paraqiti planet e saj për menaxhimin e krizës së varkave të vogla e gomoneve me emigrant të paligjshëm.
Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper njoftoi se do të caktojë një drejtues të Komandës së re të Sigurisë Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar brenda pak javësh. Qeveria shpreson që ky organizëm i ri do të arrijë të reduktojë do të reduktojë kalimet ilegale në La Mansh.
Top Channel