Në Durrës ka nisur puna për restaurimin e plotë të Muzeut Etnografik i cili për vite me radhë qëndroi i mbyllur për vizitorët për shkak të dëmeve që pësoi nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019.
E ndërtuar në qendrën historike të qytetit në gjysmën e dytë të shekullit XIX, një nga dhomat e kësaj banese tipike qytetare me çardak shërben dhe si një muze për aktorin me famë botërore Aleksandër Moisiu, i cili kaloi këtu një pjesë të fëmijërisë.
Restaurimi i mëparshëm i kësaj godine që ruan brenda saj vlerat të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore daton në vitin 1983. Që atëherë asnjë ndërhyrje nuk ishte bërë.
Vjeshtën e kaluar Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale mori vendimin për restaurimin e plotë të muzeut që po realizohet me një fond të BE-së, në vlerën e 45 milion lekëve, projekt ky në kuadër të programit EU4Culture që zbatohet nga Unops.
I gjithë procesi pritet të përfundojë brenda 7 muajve duke e kthyer muzeun në një objekt të vizitueshëm për turistët vendas e të huaj.
Në Durrës, tërmeti i vitit 2019 shkaktoi dëme të mëdha jo vetëm në mijëra banesa dhe institucione publike arsimore dhe shëndetësore, por dhe në objekte të trashëgimisë kulturore, një pjesë e të cilave janë restauruar dhe të tjera janë në proces.
Top Channel