Aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan, Gary Kokalari është i mendimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gabuan me non gratën e vendosur ndaj Sali Berishës.
Në një intervistë me Grida Dumën në Top Story, Kokalari tha se SHBA nuk dha provat në tavolinë, dhe kjo i jep mundësinë Berishës të mohojë akuzat pasi nuk ka prova konkrete.
Megjithatë, ai tha se SHBA-të janë të vetëdijshme për gjithçka ndodh në Shqipëri.
Grida Duma: Mendon që në këto vite qëndrimet e Amerikës ndaj politikës së Shqipërisë, kanë qenë gjithmonë qëndrimet e duhura dhe Shqipëria duhet të vijojë të ndjekë gjithçka që SHBA i thotë me një ‘po’ absolute.
Gary Kokalari: Jo, Shqipëria nuk duhet të ndjekë askënd në mënyrë të verbër. SHBA e shohin Shqipërinë si aleat, por ka prioritetet e vetas. Edhe Shqipëria duhet të ketë prioritetet e veta. Le të pranojmë që SHBA luajnë një rol thelbësor për sigurinë. SHBA këtu kanë bërë disa gabime, ndër më të fundit është shpallja e Berishës non grata pa dhënë arsyet. Do doja t’i kishin hapur letrat mbi tavolinë. Berishës i ka thënë mundësinë që nuk është e vërtetë dhe pa prova konkrete kush do ta vërë në dyshim.
Mendoj se SHBA, flas nga përvoja ime, të shumtat janë rastet kur ka pasur korrupsion dhe kanë mbyllur një sy sepse kanë prioritete të tjera. Janë të vetëdijshëm për gjithçka që ndodh këtu, nuk janë të verbër. Shpresoj që ky zhvillim i SPAK të ketë mbështetjen e SHBA dhe të sigurohen që ata që kanë bërë krime, të vihen para drejtësisë.
Top Channel