Gjykata e Posaçme vlerësoi kërkesën e katër të arrestuarve si pjesë e grupit të Laert Haxhisë.
Pas seancës për informacion dy mujor gjykata la në arrest me burg Ligor Romaçka, Idriz Manej, Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi, që kishin kërkuar revokim të masës personale “Arrest në burg” me masën Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Anila Hoxha raporton se në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, vendosi Vazhdimin e masës së sigurimit ”arrest në burg”, caktuar ndaj personave nën hetim Ligor Romaçka, Idriz Manej, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi, me vendimin datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Kujtojmë se pak ditë më parë Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia në Shqipëri, pasi ishte arrestuar disa muaj më parë në Janinë.
Haxhiu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur ne tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2020, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Top Channel