“Aksi anglo-amerikan”, Biden përshëndet deklaratat e Starmer për BE-në

11/07/2024 12:33

Presidenti amerikan, Joe Biden priti në zyrën Ovale kryeministrin e ri të Britanisë, Keir Starmer, teksa lideri i ri anglez viziton Washingtonin për samitin e 75 vjetorit të themelimit të NATO-s.

Biseda e tyre u fokusua tek raportet mes dy vendeve, konfliktet në Ukrainë e Gaza, ndërsa shefi i Shtëpisë së Bardhë përshëndeti dhe dëshirën e kreut të ekzekutivit laburist britanik për raporte më të ngushta me homologët europianë, sipas njoftimit të qeverisë britanike.

“Presidenti mirëpriti deklaratat e bëra së fundi nga kryeministri për krijimin e raporteve të ngushta me homologët tanë europianë, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për AUKUS”, tha qeveria britanike, duke iu referuar paktit të sigurisë mes Britanisë, SHBA-së dhe Australisë.

“Në kohën kur ne po përballemi me sfida në mbarë botën, ne jemi më të fortë kur jemi bashkë dhe punojmë së bashku”, nënvizohet aty.

Starmer, që merr pjesë në samit pak ditë pas marrjes së detyrës, është takuar me liderët europianë, përfshirë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Ai e ka bërë të qartë se dëshiron që Britania të rivendosë raportet me Bashkimin Evropian, të përmirësojë bashkëpunimin në fusha sikurse ajo e sigurisë dhe tregtisë, duke kërkuar që të ulë tensionet që u shkaktuan pas referendumit të vitit 2016, kur britanikët vendosën të largonin shtetin nga BE-ja, por e ka përjashtuar ndërkohë mundësinë e ribashkimit në tregun e përbashkët të bllokut apo në unionin e doganave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA