Boksieri ri ukrainas me ëndërra olimpike vdes në frontin me Rusinë, qindra atletë të rekrutuar shuhen në konflikt (fotot)

09/07/2024 17:45
Boksiere te rinj ukrainas ne ceremonine perkujtimore per Halinichev

Më shumë se 400 atletë e sportistë të Ukrainës janë vrarë që prej nisjes së luftës, pas rekrutimeve masive për të mbushur radhët e ushtrisë në frontin e lindjes.

Maksym Halinichev kishte fituar medalje të argjendtë në olimpiadën e Buenos Aires në një ndeshje të përshkruar si “mes dy luftëtarëve më të mirë që kërkonin lavdi.”

Halinichev kishte në plan të mundte sfiduesin e radhës dhe më pas t’i mësonte bijës së tij gjërat kryesore të sportit, në mënyrë që ajo të dinte të mbronte veten.

Halinchev përmendte ambicjet e tij në një intervistë me federatën vendase të boksit në dhjetor 2021, teksa trupat ruse po grumbulloheshin në kufirin pranë Ukrainës.

“Frika në dyluftim mund të ndikojë në mënyra të ndryshme, disa njerëz paralizohen prej saj, ndërsa të tjerë sikur çlirohen. Por nëse e kontrollon mendjen e trupin si duhet, frika largohet”, thoshte i sportisti i ri.

Por Halinichev nuk do të jetë në gjendje të japë mësimet e tij pasi u rekrutua në front dhe u vra në mars 2023 në moshën 22 vjeçare, ashtu si dhe rreth 400 sportistë të tjerë ukrainas që janë shuar që prej nisjes së luftës dhe rekrutimeve masive.

Si një prej talenteve më të mirë të  Ukrainës, Halinichev mund të ishte ndaluar të shkonte në front por disa duhet të mbrojnë nderin e vendit në fushëbetejë dhe të tjerë nuk kanë mundësi t’i shmangen rekrutimit.

Në maj 2022, kur ishte 21 vjeç, Halinichev hyri te trupat sulmuese ajrore, sipas federatës ukrainase të boksit. Ai u plagos nga një copë predhe në këmbë, që doktorët nuk mund të hiqnin.

Gjatë rekuperimit Halinichev kishte folur me trajnerin e tij por nuk i tregonte ato që kishte parë në luftë.

Rrjedhimisht ai u rikthye në fushëbetejë me plagën e pashëruar.

“Ai besonte se duhet të kthehej te vëllezërit e tij ne front sepse ushtria kishte nevojë”, thotë e fejuara e tij Ihrak, nëna e vajzës së tyre Vasilisa.

Halinichev e Ihrak folën për herë të fundit më 9 mars 2023, disa ditë pas ndërprerjes së kontakteve.

E reja e shqetësuar nisi të kontrollonte në kanale ruse të rrjetit Telegram ku jepeshin foto të të vrarëve e të plagosurve të luftës, dhe tragjikisht e gjeti.

“E ëma e njohu menjëherë, kurse unë jo sepse nuk doja ta pranoja,” thotë Ihrak. Ai ishte vrarë më 10 mars 2023, në Luhansk, rajoni lindor tashmë nën kontrollin rus.

Në një ceremoni përkujtimore në palestrën ku i riu stërvitej, vija e tij 4 vjeçare Vasilisa kërcen e gëzuar në ringun e boksit, me dorezat e mëdha në duar.

Bija e Maksym Halinichev

Babai nuk do ta mësojë atë të luftojë, por nëna Ihrak thotë se Halinichev donte që ajo të boksonte.

Mes të vdekurve të ushtrisë së Ukrainës përmenden sportistë si kampioni qitjes Ivan Bidnyak, e kolegu Yehor Kihitov; Stanislav Hulenkov, xhudist 22-vjeçar, trupi i të cilit u identifikua 10 muaj pas gjetjes; peshëngritësi Oleksandr Pielieshenko, që ka përfaqësuar Ukrainën në olimpiadën e Rio në 2016. Një sulm me raketë në Dnipro vrau trajneren e akrobacisë Anastasia Ihnatenko, me bashkëshortin dhe djalin e tyre, shkruan rrjeti britanik The Independent.

Në apartamentin e zbrazur në Shostka, prindërit e boksierit të vrarë kanë mbushur një raft me trofetë e medaljet e tij, të fituara nga 2010 deri në 2021.

Por prindërit e Halinichev nuk jetojnë më aty, teksa janë larguar në Republikën Çeke. Ish-e fejuara Ihrak me të bijën kërkon të largohet në Gjemani./TheIndependent/

FOTO GALERI
5/5
Boksiere te rinj ukrainas ne ceremonine perkujtimore per Halinichev

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA