Piloti trafikant ndërkombëtar drogash, arrestohet pas postimit ‘të pakujdesshëm’ të gruas në Instagram (fotot)

08/07/2024 21:48

Postimet e shpeshta të një gruaje biznesmene në rrjetet sociale duket se kanë ndihmuar autoritetet në Brazil të kapin bashkëshortin e saj të kërkuar prej dy vitesh për trafik ndërkombëtar drogash.

50 vjeçari Ronald Roland, u arrestua javës që shkoi në banesën e tij në qytetin juglindor të Guarujá pasi bashkëshortja, Andrezza de Lima, kishte shpërndarë në rrjet vendndodhjen e tyre, sipas rrjetit vendas TV Globo.

Roland, de Lima dhe bija e tyre po flinin në shtëpi kur policia bastisi rezidencën në kërkim të trafikantit të akuzuar.

De Lima, e cila menaxhon një dyqan me ‘bikini’, postonte shpesh imazhe të udhëtimeve të saj në Kolumbi, Dubai, France e Maldive, shpeshherë bashkë me Roland në avione private apo destinacione turistike luksi, megjithë bashkëshorti kërkohej nga autoritetet.

Burri ishte mes tetë të arrestuarve në operacionin në shtatë shtete, ku u sekuestruan shuma parash, bizhuteri, armë, automjete, barka luksi si dhe një avion privat.

Policia në Brazil tha se i kërkuari kishte lidhje me kartelet meksikane të drogave, me të cilat kishte pastruar fitime drogash në rreth $900 milionë.

Një nga rreth 100 bizneset që pastronin paratë e jashtëligjshme ishte dhe dyqani i ‘bikini-ve’ i gruas së tij.

“Shtëpi bliheshin në emër të kompanive pa kapacitete për të blerë prona, barka apo avionë”, tha kreu i policisë vendase Ricardo Ruiz për mediat. “Ne zbuluam partnerë të kompanive si restorante apo biznese që kishin lëvizur me miliona real”, shtoi ai për skemën e pastrimit të parave të drogave.

Ruiz shtonte se Roland hetohej prej vitit 2012 kur ishte pilot avioni dhe ishte përfshirë në kalimin e drogave për në Amerikën qendrore.

Roland kishte rënë në sy të autoriteteve në 2019 kur u vendos në një banesë luksoze në Uberlandia, dhe drejtonte një automjet me vlerë $91,500 dhe më pas me disa automjete të tjera luksi.

Ai u arrestua në 2019 kur ish bashkëhsortja shpërndau një foto në Instagram me vendndodhjen e një restoranti në São Paulo ku ata po drekonin.

Fotot në kohën e arrestit konfirmonin se burri kishte bërë operacione plastike për t’i shpëtuar identifikimit, dhe kishte shenja në fytyrë, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

FOTO GALERI
2/5
Fotot në kohën e arrestit konfirmonin se burri kishte bërë operacione plastike për t’i shpëtuar identifikimit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA