Këshilli i Bashkimit Europian ia zgjati zyrtarisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.
Ky vendim u mor pasi më herët vendet anëtare kishin rënë dakord me një lëvizje të tillë pas një kërkese të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Lajcaku normalisht duhet të niste punën në 1 shtator si ambasador i bllokut në Zvicër, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Me shtyrjen edhe për pesë muaj të tjerë të rolit të tij si ndërmjetësues, Brukseli kërkon të sigurohet që të mos ketë vakum në negociata deri në caktimin e pasardhësit të tij. Postin e Borrellit vetë do ta marrë kryeministerja estoneze, Kaja Kallas, por edhe ajo që të nisë mandatin duhet të presë që, së pari Parlamenti Europian të konfirmojë Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian edhe për pesë vite të tjera. Duke qenë se edhe për disa kohë, do të jetë po Lajcak ai që do të ndërmjrtësojë procesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd, BE nuk pret ndryshime të mëdha.
Por nuk dihet ndërkohë se çfarë qasje do të marrë Kallas ndaj këtij procesi të vështirë. “Qëndrimi mund të ndryshojë. Por ato që nuk do të ndryshojnë detyrimet e Kosovës dhe Serbisë që kanë dalë deri më tani në vazhdën e këtij procesi”, ka thënë një diplomat i BE-së. Diplomatët në BE thonë se, kushdo që të lehtësojë dialogun në emër të Bashkimit Evropian, duhet të ndjekë mandatin dhe detyrat që i caktojnë vendet anëtare. E vendet anëtare janë të njëzëshme se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e arritura deri më tani.
Top Channel