Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmendi për të parën herë një afat të mundshëm kohor lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në aleancën veri-atlantike.
Ai la të kuptohet se vendi i munduar nga pushtimi rus mund t’i bashkohet NATO-s brenda dhjetë viteve të ardhshme.
“Vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet një vend aleat. Ndërkohë, anëtarët e NATO-s duhet ta furnizojnë atë me më shumë armë dhe municione për t’i ndihmuar ta mposhtë pushtuesin rus. Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, tha Stoltenberg.
Komentet e tij, Stoltenberg, mandate i të cilit përfundon në 1 tetor, i bëri në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA, e cila u publikua sot. Krerët e aleancës do të takohen javën e ardhshme në Uashington, për të kremtuar 75-vjetorin e themelimit të saj, ku pritet të njoftojnë mbështetje të re për Ukrainën, e cila troket në dyert e NATO-s qysh prej vitit 2008, kur iu premtua se një ditë do të jetë anëtare.
Deklarata e Stoltenbergut i zbeh shpresat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është shprehur se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e Uashingtonit, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.
Top Channel