“Ju keni fëmijë po kjo që më ka rënë mua mos i raftë askujt. Ra në burg, ia falëm. Ai mori lopatën e armën. Shkova të sqarohem se më njoftoi nipi. E kisha në dum-dum thikën se e kam mjet pune. M’u errën sytë dhe nuk mora vesh çfarë u bë.”
Me këto fjalë dhe me lot në sy, 64-vjeccari Petrit Derjaj nga Kavaja shpjegoi në gjykatë rrethanat e ngjarjes duke deklaruar se shkoi menjëherë në shtëpinë e së bijës sapo u njoftua se i shoqi po e dhunonte sërish.
Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg me afat 30 ditë” për vjehrrin që plagosi dhëndrin tri ditë më parë në qytetin e Kavajës, ndërsa caktoi “arrest në burg” pa afat për të plagosurin, i cili ndodhet në spital nën kujdes mjekësor.
Gjyqtari i seancës Rexhep Bekteshi mori parasysh rrethanat e ngjarjes dhe faktin që i plagosuri, i akuzuar për “dhunë në familje” dhe “moskallëzim krimi”, është përsëritës i veprës penale dhunë në familje dhe ndodhej në shërbim prove edhe ditën e ngjarjes.
46-vjeçari Land Derjaj Puja u përfaqësua nga avokatja e tij e cila deklaroi se ai është viktimë e veprës penale dhe po vuan pasojat e saj ndaj kërkoi moscaktim mase. Ndërkohë 64-vjeçari kërkoi një masë të përshtatshme sigurimi personal nisur nga rrethanat dhe fakti që është i sëmurë dhe tashmë duhet të kujdeset, përveç gruas së tij të sëmurë, edhe për vajzën e tre fëmijët e saj të mitur.
Top Channel