Iranianët votojnë presidentin e ri, ende mister aksidenti me helikopter i Raisit

05/07/2024 13:15

Iranianët i janë drejtuar mëngjesin e sotëm qendrave të votimit për balotazhin presidencial, pasi asnjë kandidat nuk arriti të fitojë mjaftueshëm vota në raundin e parë të zgjedhjeve më 28 qershor, kur pjesëmarrja shënoi një rënie rekord.

Votimi për kreun e ri të shtetit vjen në një kohë kur iranianët po përballen me mungesë të lirisë, me kushte të këqija të jetesës dhe me një ekonomi të dobësuar. Në zgjedrhjet që mbahen pas vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i mistershem i helikopterit me të cilin udhëtonte muajin e kaluar, iranianët duhet të zgjedhin mes reformistit dhe ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Jalili është përfaqësuesi personal i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei në Këshillin Suprem për Siguri Kombëtare (SNSC). Ndërsa Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë. Ai i ka vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për grate, ndërsa shprehet edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin, edhe pse sërish mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.

Në thelb, rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike në vend, edhe pse mund të ndikojë tek pasuesi i 85 vjecarit Khamenei, i cili vazhdon të jetë udhëheqësi suprem i Republikës Islamike qe prej vitit 1989.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA