“Të hetohet me zero tolerancë”, opozita kërkoi interpelancë pas skandalit te Onkologjiku, Ministrja Koçiu: Veprimi i mjekëve, vepër kriminale

04/07/2024 11:43

Ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu ka mbajtur fjalën e saj sot në Kuvend, duke folur në lidhje me skandalin te Onkologjiku, në interpelancën e kërkuar nga opozita.

Ajo u shpreh se qeveria ka reaguar menjëherë pas skandalit si dhe bëri sërish thirrje që drejtësia të hetojë dhe të japë dëbimin e miratuar për mjekët e përfshirë në skemën korruptive.

“Ne jemi ata që marrim përgjegjësitë dhe përballemi me to. Secili prej mjekëve duhet të përgjigjet për çdo veprim që ka kryer, që në vlerësimin tim përbën faj në nivelet e një krimi që hyn në veprat kriminale.

Që në momentin e parë që u mësua skandali, qeveria reagoi menjëherë. Organet e drejtësisë të hetojmë në zëro tolerancë. Është akt i shëmtuar.  Ju përdorni për kapital politik edhe vdekjen. Jeni ju për të qarë hallin se jeni katandisur të improvizoni çfarë ju sjell rastësia”, u shpreh ajo.

Fjala e plotë:

Do të përpiqem të sqaroj përmbledhtazi gjithçka në lidhje me këtë ngjarje për të cilën jemi pozicionuar qartazi, qoftë politikisht por edhe nëpërmjet akteve dhe vendimeve të marra.
Së pari dua të sjell në vëmendje reagimin dhe qëndimin në tërësi të qeverisë dhe në veçanti të Kryeministrit, i cili duke vlerësuar posaçërisht situatën u angazhua personalisht për të qartësuar pozicionin institucional që kemi ndaj çdo fenomeni që bie ndesh me qasjen tonë të cilën unë do ta përkufizoja me devizën punë dhe nder.
Pikërisht kjo devizë, që e gjej të mishëruar në mënyrën sesi përpiqemi të qeverisim sa më mirë dhe me përkushtim, më bën të ndjehem e nderuar që kontribuoj në këtë kabinet qeveritar që nuk iu shmanget përgjegjësive apo sfidave të çfarë do lloj niveli apo vështirësie qofshin ato.
Ne jemi ata që marrim përgjegjësitë dhe përballemi me to duke mos i shmangur apo mbuluar ato, sikurse ka ndodhur në të shkuarën, mendësisë reminishencat e së cilës janë të ekspozuara qartazi edhe në skandalin që ndodhi me një grup individësh, që kanë thyer çdo element njerëzor e profesional në spitalin Onkologjik. Në këtë qeverisje faji ka emër, ka fytyrë dhe jo përgjithësime.
Ne kemi vendosur një standar i cili është I vetmi që aplikohet dhe është I barabartë dhe I njëjtë për të gjithë: Kushdo që provohet fajtor, nuk ka më punë me këtë qeveri, as me këtë familje politike!
Ky standard vlen edhe për mjekët e vendosur nën akuzë!
Secili prej tyre, duhet të përgjigjet për çdo veprim të kryer që në vlerësimin timin peronsal, të institucionit që përfaqësoj dhe qeverisë gjithashtu përbën faj të rëndë e të patolerueshëm në nivelet e një krimi që hyn te veprat kriminale.
Sigurisht, dukshëm standardi sesi ne kemi transformuar mendësinë e përgjegjësisë ndaj angazhimeve e detyrimeve publike në çdo aspekt, nuk do të kishin kuptim pa implementimin reformës në drejtësi e cila bën dhe ndarjen e qartë mes përgjegjësisë për të qeverisur, për t’u qeverisur dhe për t’u distancuar e ndëshkuar çdo akt të papërgjegjshëm i kryer me ose pavetëdije.
Në lidhje me zullumin qe doli ne dritë në Spitalin Onkologjik, dua të theksoj se Ministria e Shëndetësisë, që në momentin e parë në të cilën u mësua lajmi për zbulimet paraprake të Prokurorisë, reagoi menjëherë dhe bëri thirrje publike për të zbardhur deri në fund ngjarjen.
Dhe gjej rastin të përsëris të njëjtin qëndrim edhe sot për të inkurajuar organet e drejtësisë të hetojnë me zero tolerancë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ligjore çdo individ që është implikuar dhe ka abuzuar me misionin e shenjtë të mjekut në dëm të shëndetit të qytetarëve, me pasoja edhe zhvatjeje për ta.
Por ndërsa shpreh këtë qëndrim të prerë për ata abuzues, dal, jam dhe do të jem krah dhe në mbrojtje të çdo anëtari të trupës spitalore të QSUT dhe jo vetëm që profesionin e ka të shenjtë dhe bluzën e bardhë të panjollosur nga korrupsioni dhe as nga korruptimi politik.
Tentativa për të politizuar ngjarjen për të futur ndasi dhe diversion mes mjekëve dhe trupës drejtuese të shëndetësisë është një akt i shëmtuar, por për më tepër do të rezultojë dhe i dështuar.
Ju jeni në të drejtën tuaj për të përdorur për kapital politik jo vetëm shëndetin por edhe vdekjen. Kjo është çështje zgjedhjeje.
Por nder nuk ju bën dhe asgjë s’do arrini sepse jeni shumë të lexueshëm në hipokrizinë tuaj për t’I qarë hallin njerëzve.
Në fakt jeni ju për t’iu qarë hallin se jeni katandisur të improvizoni politikisht çfarë t’iu sjellë rastësia.
Thënë kjo, më duhet të theksoj se gjatë këtyre viteve të qeverisjes së PS, na është dashur shumë punë për të rikthyer në vend dinjitetin e mjekut, statusin e tij të nëpërkëmbur.
Sot mjekët dhe infermierët janë ndër kategoritë më të mirëpaguara dhe më mirë të pajisura me mjetet e nevojshme për të kryer punën e tyre.
A ëhstë ky maksimumi, sigurisht që jo?
Ai di të vazhdojmë t’I përmirësojmë kushtet e tyre absolutisht që po.
A do të thotë kjo që ata të kompensojnë pretendimet e tyre me ryshfet dhe mënyra abuzive kategorikisht që jo.
Dua t’iu bej me dije se gjate ketyre diteve kemi punuar intensivisht për disa nderhyrje të shpejta dhe kuptimplota në LIGJIN “PËR URDHRIN E MJEKËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, i cili rregullon veprimtarine e profesionisteve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.

Prandaj kemi vendosur se:
SË PARI, hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkates do të perfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.
Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojne në klinika private, si edhe ata qe do te duan ta bejne këtë më tutje, DUHET TË MARRIN NJË AUTORIZIM/LEJE nga titullari i spitalit ku janë të punësuar.
Për të shmangur konfliktin e interesit, ky autorizim duhet të konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital.
SË DYTI, do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty.
Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflik të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të vijnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.
Kjo është një praktikë e toleruar përgjatë gjithë këtyre viteve pas ndryshimit të sistemit dhe e zgjatur nga fakti se vetëm kjo shumicë qeverisëse vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kerkon disa vite edhe në kushte shumë me normale se sa kushtet skandaloze të shëndetesisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh.
Fatmirësisht sot jemi në hapin e fundit dhe kemi aktualisht në Fier, Memorialin, Spitalin e parë me autonomi.
Së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonomine e plotë pas plotesimit të kushteve të mbetura.
Por megjithatë, masat për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik nga mjeku dhe pacienti në spitalin privat do t’i marrim sa më shpejt.
E TRETA. Kemi propozuar që mjekët të cilët kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë.
Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi.
Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.
DHE E KATËRTA, do të thjeshtojmë në këtë ligj edhe procedimin disiplinor.
Aktualisht procedimi disiplinor është kompleks, me Komisione disiplinore rajonale, qendrore, ankimime administrative dhe më pas ato gjyqësore.

Kemi propozuar që të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe nje Komision Apelimi.
Natyrisht të gjitha këto ndërhyrje të menjëhershme kërkojnë edhe ndryshime të masave disiplinore ekzistuese.

Prandaj masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh.
Nëse dëshironi, jam e gatshme t’iu jap shpjegime pikë për pikë për të gjithë masat e propozuara ndëshkimore në vijim, për të bërë automatik ndëshkimin në të gjithë rastet e mundshme korruptive.
Por, pa shpenzuar të gjithë kohën e kësaj Interpelance duke lexuar këtë listë të gjatë ndryshimesh të propozuara, më lejoni edhe një herë më shumë TË SHPREH SOLIDARITETIN me të gjithë qytetarët me të drejtë të tronditur dhe indinjuar, njësoj si dhe unë vetë, nga zullumi i zbuluar në spitalin Onkologjik dhe t’i siguroj ata në emrin tim personal dhe të qeverisë se kjo ngjarje e rëndë do të shërbejë si një mësim i pacmuar për të ndertuar me tutje një sherbim shëndetësor të denjë për Shqipërine Europiane.

Ritheksoj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me transparencë mbështet hetimet e nisura, si dhe po ndërmerr e do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, për të ndryshuar kornizën ligjore dhe vendosur meritokracitë plotë në sistemin tonë shëndetësor.

Nga ana tjetër, dua të përsëris, përballë kësaj “kryqëzate politike”, se rasti i Onkologjikut nuk mundet kurrsesi të zhbëjë punët e jashtëzakonshme që janë kryer në QSUT dhe në të gjithë sistemin tonë shëndetësor.
Vetëm në QSUT janë realizuar mbi 100 milionë euro invetsime në këto vite dhe është bërë e mundur që Spitali Onkologjik të jetë shumë më i mirëpajisur dhe i mirëfurnizuar se më parë.
Buxheti ynë për kimioterapitë është katërfishuar duke minimizuar në maksimum rastet e vonesave apo pamundësisë për të ofruar kurim në spitalin publik.
Gjithashtu, akseleratorët lineare kanë bërë diçka të jashtëzakonshme: Kanë shkurtuar listën e pritjes për marrjen e trajtimit me radioterapi nga 3 muaj në kohën tuaj, në dy-tre javë!
Që është edhe periudha optimale e rekomanduar dhe që është që është një kohë pritje më e shkurtër se mesatarja europiane.
350 mijë shërbime ambulatore në 365 ditë ka viti.
350 mijë shërbime ambulatore janë bërë në QSUT nga 100 mijë që bëheshin ashtu si bëheshin, me ato kushte që bëheshin mes kaosit dhe mes gjithë mangësive të mëdha që ju i dini më mirë se unë deri dekadën e mëparshme.
Në këtë qendër spitalore janë kryer 1.8 milionë analiza laboratorike të certifikuara me standarde të cilësisë dhe me një gamë analizash të dyfishuar.
Reparti ditor në Onkologjik dhe investimet në Depon Qendrore të Barnave ka ofruar një standard të ri për qytetarët që kryejnë seancat e kimioterapisë si dhe ka garantuar përgatitjen e medikamenteve pranë kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më në mënyrë manuale siç kryej disa vite më parë.
Gjithashtu, janështuar punktet e kimioterapive në spitalet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Fierit, Beratit, Lezhës, Shkodrës, duke synuar një shërbim më afër pacienteve me diagnoza malinje.
Më tej, Spitali i Ri Pediatrik, Urgjencën e re Pediatrike, Qendra e Konsultave Ambulatore, Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, Spitali i Ri Infektiv, Shërbimi i Ri i Urgjencës, Kardiokirurgjia plotësisht e rinovuar, Maternitetet e reja, janë vetëm disa nga spitalet e rinovuara plotësisht në Tiranë.
Atyre u bashkohen mbi 25 spitale të tjerë rajonalë e bashkiakë, si dhe pothuajse 400 qendra shëndetësore, që janë nxjerrë nga rënimi i plotë, duke u shndërruar në qendra efikase që ofrojnë shërbim në të gjithë territorin.
Dua të ndalem pak edhe te programet tona parandaluese që kanë rezultuar shumë të suksesshme për depistimin apo identifikimin e hershëm, të tumoreve të gjirit, qafës së mitrës, por jo vetëm.
Kjo ja sjellë një ndryshim pozitiv duke rritur numrin e tumoreve të diagnostikuara në stade të hershme e rrjedhimisht, edhe numrin e tumoreve të kuruara plotësisht.
Lufta me një sëmundje të tmerrshme si kanceri është një luftë që asnjë shtet në botë nuk mund ta fitojë plotësisht.
Për fat të keq, edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në botë, në përputhje me trendin global, SËMUNDJET TUMORIALE JANË ARSYEJA E DYTË MË E MADHE E VDEKSHMËRISË.
Megjithatë, siç thashë edhe më lart, ato shifra zyrtare që ju i përdorni vetëm kur iu intereson, tregojnë se vit pas viti kemi një rënie të mortalitetit , që përkthehet me qindra jetë të shpëtuara në vit.
Janë me qindra qytetarë, në vit, që me kushtet e mëparshme të shëndetësisë shqiptare sot nuk do të ishin mes nesh!
Si është bërë e mundur kjo? Falë invetimeve rekord. Falë rritjes së mbulimit universal. Falë ofrimit të trajtimit jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë spitalet e tjera të mëdha të vendit. Falë blerjes së pajisjeve moderne dhe sigurimit të barnave jetëshpëtuese.
Është bërë e mundur gjithashtu falë mjekëve e këtu nuk flas për ata mjekë të vendosur nën akuzë, por për armatën prej më shumë se 20 mijë bluzash të bardha mbi të cilën ju sot hidhni baltë!
Të gjitha këto janë bërë me paratë e qytetarëve, ndaj ne nuk kërkojmë as merita dhe as medalje, por është e papranueshme që të gjithë këto punë të mira të bëhen pjesë e baltës suaj politike.
10 vjet më parë, për një infarkt kishte vetëm dy zgjedhje, spitali privat apo bota e përtejme.

Sot Shërbimi I urgjencës kardiake ofrohet tërësisht në publik, jo vetëm në QSUNT por dhe në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, Spitali Rajonal Shkodër, Spitali Memorial Fier, duke përmbushur kështu të gjithë nevojat që kanë qytetarët.
10 vjet më parë, PËR TË BËRË NJË SKANER zgjidhja e vetme ishte privati ose të vije në Tiranë.
Sot ky shërbim diagnostikues ofrohet në 11 Spitale Rajonale dhe në spitalet Bashkiake si Lushnje dhe Sarandë.
10 vjet më parë të sëmurët me hemodializës duhet të zgjidhnin midis udhëtimit çdo dy ditë në Tiranë ose vdekjes. Sot, ky shërbim ofrohet në të gjithë qytetet e mëdha.
Dje kryheshin operacione me instrumenta të viteve 1970 dhe për shkak të sterilizimit të munguar infeksionet ishin një problem jashtëzakonisht i madh.
Sot, operacionet dhe trajtimet kryhen me të njëjtat instrumenta dhe aparatura si kudo në botë. E kështu me radhë, lista është vërtet shumë e gjatë dhe ndryshimi po aq i madh, sa edhe ndasia mes natës dhe ditës!
Sot, gjërat nuk janë perfekte. Madje janë ende larg aspiratës sonë dhe vizionit tonë për shëndetësinë e Shqipërisë Europiane 2030.
Por, një gjë është e sigurt, që pak nga pak, falë transformimit rrënjësor që po ndodh në sistemin shëndetësor, hendeku që na ndan është gjithmonë edhe më i ngushtë.
Dhe ju siguroj, që ATO SHUMËSI GJËRASH që sot janë shumë më mirë nga dje, nesër do të jenë përsëri edhe më mirë se sot!
Të nderuar deputetë,
Kemi hyrë gjithashtu në muajin e rritjes së mëtejshme të pagave për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë.
Pas rritjes historike dhe më të madhe në historinë e shëndetësisë shqiptare në vitin 2023, kjo rritje e re është një hap i mëtejshëm drejt vendosjes së mjekëve shqiptarë ndër të parët në rajon përsa i përket shpërblimit financiar, bonuseve dhe kushteve të punës.
Si dhe një hap i mëtejshëm drejt arritjes së nivelit mesatar të pagave dhe bonuseve në vendet e Bashkimit Europian.
Le të mos harrojmë se deri 10 vjet më parë, mjeku paguhej më keq se profesione, me gjithë respektin për çdo profesion, që kërkonin vetëm arsim fillor.
Sot që flasim rritja e pagave për mjekët arrin deri në 140% dhe për teknikët e shkencave mjekësore deri në 112%

Rikthimi i dinjitetit, i statusit dhe vendosja e mjekut në piedestalin shoqëror ku meriton të jetë është parakusht absolut për forcimin e llogaridhënies, për të cilën ju garantoj se do të jetë e fortë, transparente dhe efikase!

Ashtu siç theksoi Kryeministri, në takimin e të hënës me shefat e shërbimeve të QSUT, ajo që ndodhi në Onkologjik është diçka që nuk duhet të kishte ndodhur, por duhet të kemi forcën që këtë të keqe ta kthejmë në një të mirë të madhe dhe afatgjatë për sistemin tonë shëndetësor.

Të nderuar kolegë

Pa hezitim dua të them dhe një herë me ngulm se shëndetësia tanimë është futur në një etapë të re, e cila në themelin e saj ka devizën punë dhe nder.
Mjekët dhe infermierët nuk janë fytyra e zezë e shoqërisë. Është vetëvrasje sociale nëse do vazhdojmë të stigmatizojmë bluzat e bardha.
Përdorimi politik i një apo disa ngjarjeve që janë përjashtim për sektorin dhe jo përgjithësim, por janë brenda mentalitetit shoqëror nuk e zgjidhin problemin.
Përballë dorëheqjes dhe dorëzimit apo sfidës për të çuar përpara reformat unë kam zgjedhur këtë të dytën, si përgjegjësi e angazhimit për t’u përballur jo vetëm me fenomene negative që tejkalojnë sektorin e shëndetësisë, por edhe për të shendëtsuar sektorin në brendësi të tij.
Publikisht, edhe një herë më shumë inkurajoj organet ligjzbatuese të veprojnë pa hezitim dhe me ashpërsinë më të fortë të ligjit për këdo që abuzon me statusin e shenjtë të mjekut dhe me jetën e shëndetin e çdo qytetari të Republikës.

Ne do vazhdojmë të sensibilizojmë publikun dhe qytetarët së pari për të dekurajuar ryshfetin dhe së dyti për të inkurajuar denoncimin ndaj çdo akti korruptiv brenda dyerve të çdo institucioni shëndetësor.
Ju falenderoj për vëmendjen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA