Me urdhër të SPAK, është vënë në pranga ditën e sotme ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndërsa po ashtu urdhër arrest është lëshuar edhe për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Ermal Kurtulaj.
Beqaj është vënë në pranga nën akuzën për abuzim me fondet e BE për SASPAC.
Por çfarë deklaronte disa muaj më parë Beqaj kur pyetej për ketë hetim dhe lidhjet me Kurtuajn?
“Ermal Kurtulaj e njoh prej më shumë se 15 vjetësh, e kam njohje shumë të hershme. Që nga maji i 2022 ka punuar jo në Saspak, por në një projekt që ndiqej dhe nga Saspak-u”, u shpreh Beqaj.
Beqaj foli për Top Channel në janar edhe për subjektin “Gzona” përmendur në këtë fashikull, që lidhej me hetimet për fondet.
“Lokali Gzona siç e dini të gjithë, është një pyetje që më duket pa vend që mund të ma bësh. Nga shkurti i 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare, ekonomike me familjen time. Bashkëshortja ime është larguar që në shkurt të 2020, pra para katër vitesh dhe e gjithë puna që ka bërë në lokalin Gzona, ka marrë mbrapsht 1.5 milion lekë të vjetra”, u shpreh Beqaj në atë kohë.
Por si funksiononte skema e këtyre fondeve për të cilat akuzohet ish-ministri dhe disa persona të tjerë?
Dosja hetimore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj nxori në dritë fakte të reja se si funksionin jo vetëm lëshimi i faturave fiktive për të përfituar lekë, por edhe skemat e korrupsionit për kompanitë që merrnin fonde nga Agjencia Strategjike për Menaxhimin e Fondeve (SASPAC).
Të përfshirë në këtë zinxhir ishte restoranti GZONA, që “de facto” thotë SPAK pronar ishte Ermal Kurtulaj me përfitues fundor Ilir Beqaj.
EUSAIR, që ishte programi ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj ka pranuar një faturë nga shoqëria tregtare “Landëays international” për 149 800 euro. Administrator i kësaj kompanie rezulton Gazmend Haxhia. Më tej, duke ndjekur transaksionet e kësaj kompanie, SPAK-ut i ka rezultuar se kjo kompani ka bërë pagesa ndaj restorantit G’Zona nëpërmjet katër faturave në vlerën e 44 mijë eurove.
Kjo është cilësuar si skemë korrupsioni nga SPAK. Në rastin tjetër, SPAK ka vënë në lupën e saj, një transaksion të dyshimtë nga shoqata FIAA(Foreign Investors Association of Albania), me seli në Tiranë, e cila ka paguar një shumë ndaj restorantit GZONA që dyshohet si pagesë korrupsioni.
Fillimisht i janë dhënë shoqatës FIAA 22 mijë euro fonde shtetërore, ndërsa më pas transaksionet e tjera kanë zbuluar se FIAA ka bërë një pagesë prej 350 000 lekësh ndaj restorantit GZONA. Të dyja këto konsiderohen skema korrupsioni nga SPAK.
Top Channel