Kylian Mbappé i ka cilësuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Francës si “katastrofike”.
Ai u kërkon qytetarëve të votojnë kundër në raundin e dytë të dielën dhe të shmangin kërcënimin e një qeverie të kontrolluar nga Tubimi Kombëtar.
Kapiteni i Francës, me një ndikim të konsiderueshëm në publik, paralajmëroi se vendi duhet të shfrytëzojë mundësinë e tij për t’u siguruar se partia e ekstremit të djathtë anti-imigracion nuk do të vijë në pushtet.
“Është një situatë delikate,” tha ai kur u pyet për mendimet e tij mbi një gjendje të paqëndrueshme politike. “Nuk mund ta lëmë vendin tonë të bjerë në duart e këtyre njerëzve. Situata është emergjente. Ne pamë rezultatet dhe ato ishin katastrofike. Shpresoj se situata do të ndryshojë: që të gjithë duhet të mblidhen së bashku, të shkojnë të votojnë dhe të votojnë për partinë e duhur”, shtoi Mbappe.
Këto komente u kritikuan, ndër të tjera, nga udhëheqësi i Tubimit Kombëtar Jordan Bardella. Mbappé, i cili së fundmi nënshkroi për Real Madrid, është ylli i Francës dhe një figurë, zëri i të cilit ka peshë të konsiderueshme mes të rinjve të vendit.
Franca do të përballet me Portugalinë në çerekfinale të premten dhe Mbappe do të luajë përsëri me maskë pasi theu hundën në fazën e grupeve. Sa i përket duelit me Ronaldon, i cili ka shkruar historinë te Reali i Madridit, ylli francez tha se “CR7 është i vetmi në llojin e tij dhe nuk mund të krahasohen”.
Top Channel