Deputeti socialist, Erion Braçe, në një reagim për arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, theksoi se kushdo që abuzon me ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, por kujtoi se ende nuk ka drejtësi për “Gërdecin” dhe “21 Janarin”.
Sipas tij, “peshorja ka humbur ekuilibrin sa herë që merren jetë njerëzish dhe askush nuk mbahet përgjegjës’.
“Sa kohë bëhet fjalë për vjedhje duhet të shohim një informacion më të zgjeruar se ai që kanë dhënë mediat. Patjetër që reforma për këtë u bë, për të mbajtur përgjegjësi zyrtarët që abuzojnë me ligjin, pavarësisht fuqisë politike apo ekzekutive që ka. Dua t’ju sjell në vëmendje që ende nuk ka përgjegjës për 21 janarin, ku janë vrarë njerëz, për Gërdecin ku janë vrarë njerëz, jo më për ata që kanë vjedhur. Kjo është më e rëndë.
Patjetër që kur ka implikime me fondet e BE duhet parë shumë seriozisht gjërat, qoftë te fondet e bujqësisë apo fondet e tjera të BE.
PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, patjetër që po e mban një përgjegjësi, kur të paraqitemi para një gare elektorale, patjetër që secili mban kosto. Por, PS është e angazhuar në një proces të thellë reformim me qëllim të adresojë korrupsionin. Peshorja ka humbur ekuilibrin sa herë që merren jetë njerëzish dhe askush nuk mbahet përgjegjës. Drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke nisur nga ngjarjet që kanë shënjuar në këtë vend. Këtu është marrë jeta e njerëzve edhe për të vjedhur dhe prapë s’ka reagime”.
Top Channel