Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel për një përpjekje të radhës që synon zhbllokimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
I dërguari i posaçme i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak përcolli edhe këtë herë një shpresë të zbehtë kapërcimi i ngërçit, edhe pse teksa iu referua takimeve të ndara me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiç javën e kaluar, tha se diskutimet ishin më sfiduese se kurrë. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano e përshkroi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si urgjencën më të madhe.
“Prioriteti dhe axhenda, në fakt, përcaktohet nga urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja do të ndihmojë të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve.”
Më herët, kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell u shpreh se procesi mund të përparojë vetëm nëse të dyja palët janë të gatshme për një gjë të tillë, dhe i kujtoi si prishtinës ashtu edhe Beogradit, se detyrimet e tyre nuk do të zhduken. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sakaq, u shpreh gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, do ta bëntë atë të “barabartë tryezën e dialogut” në Bruksel.
Kosova vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Europian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën ushtrimin e detyrës.
Top Channel