Joe Biden e kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë sipas të cilit presidentet kanë imunitet absolut nga ndjekja penale për veprime zyrtare, e lëshoi dhe një paralajmërim të fortë mbi mundësinë e një mandati të dytë presidencial për Donald Trumpin.
“Nuk ka mbretër në Amerikë. Të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit. Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara. Me vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial, kjo ndryshoi rrënjësisht.
Në thelb, është një parim i ri një precedent i rrezikshëm, sepse pushteti i zyrtarëve nuk do të kufizohet më nga ligji, duke përfshirë edhe gjykatën supreme të Shteteve të Bashkuara. Unë do të respektoj kufijtë e pushtetit presidencial, siç kam bërë për tre vjet e gjysmë, por çdo president, përfshirë Trumpin, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin.”
Biden theksoi se vendimi nënkupton se ka pak të ngjarë që Trump të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Në vendimin e një dite më parë, Gjykata e Lartë u shpreh se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare, vendim ky që njeh për herë të parë një lloj imuniteti presidencial nga hetimi e që u pa si një fitore për kandidatin republikan.
“Tani, njeriu që dërgoi njerëzit në Kapitol po përballet me mundësinë për t‘u dënuar penalisht për atë që ndodhi atë ditë. Populli amerikan meriton të ketë një përgjigje nga gjykatat përpara zgjedhjeve të ardhshme”, shtoi Biden në deklaratat e tij të para nga Shtëpia e Bardhë që prej debatit presidencial me rivalin e vet të madh, ku paraqitja e dobët e demokratit nxiti thirrjet që ai të tërhiqej nga gara.
Top Channel