Kryeministri Edi Rama, në një mbledhje që po zhvillohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me shefat e të gjitha shërbimeve, e cilësoi krim kundër njerëzimit skandalin që nxorën hetimet tek Onkologjiku.
“Rrjetat e merimangave të onkologjikut ishin më zi se korrupsioni i marrjes së parave për shërbimin”, u shpreh kryeministri, që u kujtoi mjekëve se po punojnë me paga dhe kushte si asnjëherë më parë. Për raste si ai u zbuluar disa ditë më parë, Rama tha se “uniforma e mjekëve mori njësoj vlerë si maskat e grabitqarëve të bankave”.
“As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se sa spitalet më të mirë të Evropës. Besim Elezi me kolegë i dha dritë këtij spitali, në kushtet më mizerabël, me mjete si në spitalet e mesjetës në Francë. Në këtë territor ku jemi sot, mungonte thuajse gjithçka, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut. Sot nuk mungon thuajse asgjë, por fatkeqësisht, jo gjithnjë, figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me Betimin e Hipokratit. Të mos jesh në lartësinë e detyrës është përgjegjësi, por në punën tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, kur me njeriun lidhet fati i shëndetit të tij. Por të marrësh licensën dhe të përdorësh uniformën më simbolike si maskat e grabitqarëve të bankave dhe të nxjerrësh para me ilaçin e të sëmurëve, është krim kundër njerëzimit. Koha e Besim Elezit ka ikur, kjo kohë, sikurse jep mundësi të reja, e bën njeriun të pandjeshëm”.
Kryeministri mori si shembull profesorin, akademikun e kirurgun Besim Elezi dhe e krahasoi me ata që i konsideron “zullumqarë të shëndetit”.
“Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet se radhët e shëndetësisë janë pastruar nga zullumqarët e shëndetit. Rrjetat e merimangave të onkologjikut ishte më zi se korrupsioni i marrjes së parave për shërbimin, ishte krim kundër njerëzores. Tani të rikërkosh sot heronj si Elezi, kur mjekët shkonin në luftë me shpata, kur bota kishte shpikur raketat, nuk është mision i pamundur. Se po të mos ishin sot heronjtë kur Shqipëria u përball me Covid, numri i shqiptarëve që ndërruan jetë nën kthetrat e atij armiku të padukshëm do të kishte ku e ku më i madh”, tha ai.
Top Channel