Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se institucionet e vendit kanë “informacione të sakta” se “një grup prej qindra personash” në Serbi janë duke u përgatitur për një sulm eventual në Kosovë.
“Institucionet tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë për t’u përballur me çfarëdo që vjen – ose sulm, ose provokim – nga ana e Serbisë”, tha ai.
Duke mos ofruar më shumë detaje, ai tha se institucionet e Kosovës “janë në koordinim të plotë edhe me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që veprojnë në Kosovë”.
Konjufca i bëri komentet në një konferencë për gazetarët në Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq.
Ngjashëm u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar, kur tha se Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm të armatosur në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, “vazhdon trajnimet në Serbi” për sulme të reja në Kosovë.
Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – besohet se është i lirë në Serbi. Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, kundër policisë së Kosovës, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ngjarja nxiti shqetësime për sigurinë rajonale dhe thirrje nga bashkësia ndërkombëtare që autorët të sillen para drejtësisë. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha në fundjavë se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit të kaluar.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë bërë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Javën e kaluar, Kurti ishte në Bruksel për një rund të ri bisedimesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por takimi nuk u realizua për shkak të disa kushteve që nxori Kurti e që Vuçiq nuk i pranoi – në mesin e tyre edhe dorëzimi i Radoiçiqit./ rel
Top Channel