“Fabrikim kriminal i historisë së kobaltit”, Rama për skandalin te Onkologjiku, thirrje gjykatësve për dënimin e mjekëve: Mos lejoni relativizmin e asaj veprimtarie kriminale

01/07/2024 10:15

Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen me shefat e QSUT, ka përgëzuar drejtësinë për zbulimin e skandalit te Onkologjiku, teksa ka bërë thirrje që gjykatësit të mos e relativizojnë këtë histori kriminale dhe mjekët të marrin dënimin e merituar.

“Kërkesa në komente për dorëheqjen e ministres, të zakonshme akuzat dhe sajesat nga ata me shpirt katran dhe mendje sahan i gëzohen këtyre rasteve për lojën e përditshme me mendjen e njerëzve duke arritur në fabrikim kriminal të historisë së kobaltit. Të mbështetur edhe nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike.

Ç’ka më takon mua dhe atyre që janë dhe këtu një pjesë e madhe, sipas shkallës së përgjegjësisë dhe që kanë një rol për të luajtur në mbarëvajtjen e punës së shërbimit shëndetësor dhe në ecurinë e masave për transformimin, është adresimi sistematik i problematikave.

Drejtësia e bëri edhe një herë punën e vet dhe kjo është e vetmja e mirë e asaj të keqeje që doli në pah, i përgëzoj dhe u bëj thirrje gjykatësve që të mos lejojnë që relativizmin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur më parë kur gjykatës kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë vrasës që duhej të ishin brenda sot e gjithë ditën.

Ne duhet të vijojmë punën tonë, jo vetëm me masat. Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës, i ngritur sapo morëm dijeni për grupin keqbërës te Onkologjiku”, tha Rama.

Top Channel