Si pasojë e një zjarri të fuqishëm që ka shpërthyer në Stamata në Dionioso të Greqisë, rreth 25 km në verilindje të kryeqytetit grek, ka mbetur i vdekur një 45-vjeçar si pasojë e asfiksimit.
Prej mesditës së të dielës dhjetëra zjarrfikës po luftojnë me të paktën katër zjarre të mëdha në Greqinë e jugut.
Fronti më i madh është ai në zonën e Kerateas 52 km në juglindje të kryeqytetit grek, ku banorët në të paktën 6 vendbanime u urdhëruan të evakuonin shtëpitë e tyre dhe të shkonin në zona më të sigurta. Flakët në katër vatra zjarresh masive të pakontrolluara deri pasdite kanë mbërritur pranë shtëpive duke djegur disa prej tyre, ndërsa erërat e forta prej 9 ballësh pengojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Në vendngjarje operojnë rreth 140 zjarrfikës me 36 automjete, tetë avionë zjarrfikës dhe nëntë helikopterë. Autoritetet rajonale të Atikës po kontribuojnë gjithashtu në operacionet me 10 cisterna uji dhe dy ekskavatorë,ndërkohë që temperaturat janë tepër të larta.
Pak pas mesditës së së dielës është aktivizuar dy herë sistemi i alarmit emergjent 112, i cili u bën thirrje banorëve të evakuojnë zonat e Markatit, Plakës dhe Panoramasë, drejt Lavrios.
Brigadat e zjarrfikësve pohojnë se bëhet fjalë për një nga zjarret më të vështira të javëve të fundit.Pamjet satelitore nga shërbimi sinoptik kombëtar tregojnë se tymi i ketyre zjarreve ka shkuar në një rreze deri 210 km larg.
Në luftë me flakët prej disa orësh janë edhe zjarrfikësit në zonën e Ritsonës pranë një fabrike në jug të Halkidhës, 80 km nga Athina.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Zjarrfikësve edhe në Agrinio në jug të Peloponezit ka shpërthyer një zjarr i fuqishëm dhe autoritetet kanë urdhëruar evkuimin e banorëve.
Top Channel